A po “sundon” Liverpool-i në Premier League? Flet Slot: Nëse jemi favoritë vetëm pse kemi shpenzuar…

Në prag të “Community Shield” kundër Crystal Palace, trajneri i Liverpool-it, Arne Slot, dha disa deklarata në konferencë për shtyp lidhur me etiketën e “favoritit”, që shumë tashmë ia kanë vënë jo vetëm në Premier League, por edhe më gjerë. Ky status nuk vjen vetëm nga fakti që Liverpool-i është kampioni aktual i Anglisë, por edhe nga merkatoja e bujshme e bërë deri tani.

Arne Slot nuk ka problem ta pranojë rolin e favoritit. Trajneri i “Reds” e ka pranuar plotësisht këtë, përpara gazetarëve, me rastin e sfidës së kupës kundër Crystal Palace.
“Që jemi favoritë, sepse fituam titullin sezonin e kaluar dhe kemi luajtur shumë mirë, për këtë nuk ka asnjë dyshim”, – u shpreh me siguri 46-vjeçari.

Megjithatë, sipas tij, ky epitet nuk lidhet vetëm me blerjet e bëra. Këtë verë, Liverpool-i është përforcuar me Florian Wirtz, Hugo Ekitiké, Jeremie Frimpong dhe Milos Kerkez, ndërsa ka treguar interes edhe për lojtarë të tjerë si Bradley Barcola dhe Aleksander Isak i Newcastle. Megjithatë, klubi nga “Anfield” është përballur edhe me largime të rëndësishme: Trent Alexander-Arnold te Real Madrid, Luis Diaz te Bayern Munich dhe Jarell Quansah te Bayer Leverkusen.

“Të gjitha skuadrat e Premier League shpenzojnë para, – tha Slot. – Nëse jemi favoritë vetëm sepse kemi shpenzuar në blerje, do ta konsideroja të çuditshme, pasi edhe kemi humbur element mjaft cilësorë”.

The post A po “sundon” Liverpool-i në Premier League? Flet Slot: Nëse jemi favoritë vetëm pse kemi shpenzuar… appeared first on Telesport.