Në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 28 dhjetorit, ish-ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka rikthyer në vëmendje publike “arritjet” në shëndetësi, duke i paraqitur ato si zhvillime të reja.
Në postimin e tij të fundit në Facebook, Vitia rendit një sërë shërbimesh që, sipas tij, po ofrohen tashmë në sektorin publik, konkretisht në Qendrën Klinike Stomatologjike.
Mes tyre përmenden sedacioni inhalator për fëmijë, implantologjia dentare, zgjerimi i nofullës me ekspanderë fiks (Hirax), teknologjia digjitale CAD/CAM si dhe aplikimi i PRF-së për përshpejtimin e shërimit.

Megjithatë, në të dyja postimet nuk ka fort dallime.
Edhe në aspektin e investimeve infrastrukturore, narrativi mbetet i pandryshuar.

Në të dy komunikimet publike të Vitisë, theksohet furnizimi i Qendrës Klinike Stomatologjike Universitare të Kosovës me 52 karrige të reja stomatologjike, duke e paraqitur këtë investim si dëshmi të rritjes së cilësisë dhe efikasitetit të shërbimeve për qytetarët.
Një tjetër element që bie në sy është mënyra e paraqitjes së këtyre shërbimeve si “të reja”, ndonëse vetë ish-ministri kishte deklaruar një vit më parë se ato tashmë ishin funksionalizuar.












