Pas shtatë tentimeve të pasuksesshme për ta zgjedhur kandidaten e saj për kryetare të Kuvendit, Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar një ndryshim të papritur në mënyrën e votimit: nga votimi i hapur, siç ishte praktikuar deri tani, në votim të fshehtë.
Ky formë e propozuar nga VV-ja për votim, ka nxitur reagime të ashpra nga partitë opozitare, të cilat e kanë cilësuar këtë përpjekje si të paprecedent, antikushtetuese dhe të papranueshme brenda një seance konstituive dhe sipas tyre është formë që e bllokon edhe më tutje vazhdimin e konstitutimit të Kuvendit.
“Vetëvendosje” e ka arsyetuar këtë lëvizje si një përpjekje për të zhbllokuar situatën dhe për të krijuar mundësi që deputetët të votojnë “lirshëm” pa presion nga partitë e tyre politike, por partitë opozitare e shohin ndryshe. Sipas tyre, ndryshimi i mënyrës së votimit në mes të procesit është jo vetëm i pazakontë, por edhe në kundërshtim me formën në të cilën ka filluar seanca.
Deputetët nga LDK, PDK dhe AAK kanë deklaruar se do të marrin pjesë në seanca, por kanë paralajmëruar se do ta kundërshtojnë çdo devijim nga rregullat e vendosura dhe praktikat parlamentare të deritanishme.
Deputeti i VV-së: Ka deputetë patriot nga opozita që po duan zgjidhje
Pas propozimit të kryesuesit të Kuvendit, Avni Dehari, që votimi për kryetarin e ri të Kuvendit të bëhet në mënyrë të fshehtë dhe jo të hapur siç ishte deri tani, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Halil Thaçi, ka folur për FrontOnline duke e akuzuar opozitën për bllokim të institucioneve dhe duke mbrojtur propozimin si një hap drejt zgjidhjes së situatës aktuale.
“Në kemi propozuar që të ketë votim të fshehtë për të zhbllokuar situatën pas disa tentimeve, që e lejon edhe Kushtetuta”, deklaroi Thaçi.
Ai shtoi se opozita nuk ka treguar vullnet për bashkëpunim, përkundrazi, po e pengon procesin.
“Opozita e tha se nuk ka të drejtë të ndryshohet qasja e votimit, dhe paska të drejtë të ndryshohet emri i kandidatit. Opozita është duke i bllokuar institucionet,” tha ai.
Thaçi kritikoi mënyrën se si po veprojnë subjektet opozitare, duke theksuar se nuk kanë pritur as emrin e kandidatit të propozuar për kryetar, çka sipas tij dëshmon mungesë të vullnetit për zgjidhje.
“Me këtë qasje të opozitës shumë mirë se ata as nuk e pritën as emrin e propozuar për kryetar, a ishte Haxhiu apo dikush tjetër. Ata kanë përçarje brenda grupeve parlamentare të tyre,” deklaroi deputeti i VV-së.
Megjithatë, ai shprehu bindjen se ka deputetë të arsyeshëm edhe në radhët e opozitës, të cilët janë të gatshëm të veprojnë në interes të vendit.
“Jo të gjithë në LDK dhe PDK janë si liderët e tyre, sepse ka njerëz aty që i thirren arsyes për të zhbllokuar situatën. Unë besoj se ka deputetë të arsyeshëm në gjitha subjektet politike, që nuk lidhen me inate. Ka deputetë patriotë nga opozita që nuk e shohin Kosovën vetëm për përfitime personale.” tha Thaçi.
Zogaj i LDK-së: Tentativa për votim të fshehtë është absurde, antikushtetuese dhe pa marrëveshje politike
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Alban Zogaj, për FrontOnline ka folur pas zhvillimeve në Kuvend rreth përpjekjes për ndryshim të mënyrës së votimit për kryetarin e Kuvendit, duke e quajtur këtë veprim si një shkelje të rregullave dhe frymës kushtetuese.
“Ne do të marrim pjesë në secilën seancë, sepse është vendi ynë i punës,” tha Zogaj, duke nënvizuar se pjesëmarrja e opozitës në punimet e Kuvendit nuk do të mungojë, pavarësisht kundërshtimeve të tyre për mënyrën e zhvillimit të procesit.
Ai e cilësoi përpjekjen për të kaluar nga votimi i hapur në atë të fshehtë si një veprim të papranueshëm.
“Ajo çfarë pamë herët e fundit është absurde, antikushtetuese dhe e paprecedentë. Sepse ne kemi hyrë në këtë procedurë dhe në gjysmë s’mund ta ndryshosh formën dhe procesin e votimit” deklaroi deputeti i LDK-së për FrontOnline.
Zogaj theksoi se ky ndryshim është bërë pa konsensus politik dhe me qëllim për të shmangur transparencën.
“Kjo ishte tentativë për ta fshehur kryetarin e Kuvendit me votë të fshehtë, pa marrëveshje politike.” shtoi ai.
Ai përfundoi deklaratën me një thirrje për transparencë të plotë në process.
“Ne po kërkojmë transparencë të plotë dhe kjo mund të arrihet nëse do VV.” përfundoi deputeti i LDK-së.
Kadrijaj: Votimi i fshehtë është i paprecedent – do të marrim pjesë në seancë, qëndrimi ynë mbetet i pandryshuar
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, për FrontOnline ka konfirmuar se grupi i saj parlamentar do të marrë pjesë në seancën e Kuvendit, duke theksuar se qëndrimi i AAK-së lidhur me procesin e votimit për kryetarin e Kuvendit nuk ka ndryshuar.
“Do të marrim pjesë në seancë, qëndrimi ynë s’ka ndryshuar,” deklaroi Kadrijaj.
Ajo e quajti të paprecedent propozimin për ta bërë votimin në mënyrë të fshehtë, duke thënë se një praktikë e tillë nuk ka ndodhur asnjëherë më parë në seanca konstituive të Kuvendit të Kosovës.
“Votimi në formë të fshehur është i paprecedent dhe s’ka ndodhur kurrë më parë,” u shpreh deputetja e AAK-së për FrontOnline.
Kadri Kryeziu: Seanca konstituive është formalitet – votimi duhet të jetë i hapur, sepse ashtu ka nisur
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Kadri Kryeziu, për FrontOnline ka komentuar situatën e krijuar në Kuvendin e Kosovës rreth mënyrës së votimit për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, duke theksuar se seanca konstituive është vetëm një formalitet dhe votimi duhet të zhvillohet në mënyrë të hapur.
“Kjo është një seancë, quhet konstituive, që është formalitet dhe kjo përfundon me zgjedhjen e trupave të tij” u shpreh Kryeziu.
Ai theksoi se në këtë fazë, roli i deputetëve është i kufizuar.
“Në këto situata deputetët nuk kanë pushtet efektiv, dhe kanë të drejtë vetëm një votim me bërë dhe ai është kryetari i Kuvendit,” tha ai.
Kryeziu tha se që në fillim është rënë dakord për votim të hapur dhe se kjo mënyrë duhet të ndiqet deri në fund.
“Seanca ka filluar dhe janë marrë vesh që të jetë me votim të hapur dhe kjo duhet të përfundojë me votim të hapur.” potencoi ai.
Sipas tij, një votim i fshehtë mund të jetë i arsyeshëm vetëm në raste të tjera.
“Votimi i mbyllur është në momentet kur ka më shumë se dy kandidatë për një pozicion, por kur ka një kandidat, shkohet me votim të hapur.” deklaroi Kryeziu për FrontOnline.
Kryeziu vlerësoi se përpjekjet për të ndryshuar mënyrën e votimit nuk janë të karakterit kushtetues, por politik.
“Kjo tendencë ka karakter politik, sepse partitë opozitare janë të interesuara që të krijojnë Qeverinë vetë.” përfundoi ai.