Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, njoftoi më herët këtë muaj se kryeministri i Katarit i kishte ofruar si dhuratë një avion Boeing 747-8, i cili më parë kishte qenë në pronësi të familjes mbretërore të Katarit.
Vlerësuar rreth 400 milionë dollarë, “pallati në qiell”, siç e quanin, do të ishte një nga dhuratat më të kushtueshme që një qeveri e huaj i ka bërë ndonjëherë një presidenti amerikan në histori.
“Është një gjest i shkëlqyer nga Katari. Nuk do të isha kurrë nga ata njerëz që do ta refuzonin një ofertë të tillë. Dua të them, mund të isha budalla dhe të thosha se nuk e duam një aeroplan falas, shumë të shtrenjtë,” u tha Trump gazetarëve javën e kaluar, sipas raportimit të politico.
Demokratët e dënuan menjëherë marrëveshjen për arsye etike, sigurie, madje edhe kushtetuese, ndërkohë që edhe disa republikanë dhe aleatë të fortë të lëvizjes MAGA, si senatori i Missourit, Josh Hawley, shprehën shqetësime.
Dhënia e dhuratës është plotësisht legale dhe normale, theksoi të martën kryeministri i Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al-Thani, duke e quajtur këtë “një gjë të zakonshme që ndodh mes aleatëve”.
“Nuk e kuptoj pse njerëzit e konsiderojnë këtë si ryshfet apo si përpjekje të Katarit për të blerë ndikim te kjo administratë. U krijuan shumë polemika rreth kësaj, që unë e quaj një shkëmbim mes dy vendeve”, tha ai në Forumin Ekonomik të Katarit.
Ai shtoi se historia e aeroplanit është thjesht një transaksion midis dy ministrive të mbrojtjes, që në thelb realizohet në mënyrë krejtësisht transparente dhe ligjore. Administrata Trump ka kohë që përpiqet të zëvendësojë flotën e vjetruar të Air Force One, aeroplanin Boeing 747-200B, të cilët janë në përdorim që nga viti 1990.
Aktualisht, kompania Boeing po modifikon dy aeroplanë më të rinj të tipit Boeing 747 për të përmbushur kërkesat që nevojiten që aeroplanët të shërbejnë si Air Force One, me një kosto prej miliarda dollarësh amerikanë, por përfundimi i projektit është shtyrë për në vitin 2027, gjë që ka bërë që Trump të shprehë zhgënjimin e tij.
“Jemi shumë të zhgënjyer që Boeingut i duhet kaq shumë kohë për të ndërtuar një Air Force One të ri”, u ankua ai javën e kaluar.
Edhe nëse Trump e pranon dhuratën nga Katari — të cilën ka premtuar se do t’ia dhurojë bibliotekës së tij presidenciale në fund të mandatit — do të duheshin vite dhe qindra milionë dollarë për ta modifikuar atë që të mund të shërbente si aeroplan presidencial.