A ndodhi bllokimi i xhirollogarisë dhe cilat janë pasojat? Deklarohet Ferit Idrizi

Asociacioni i Komunave të Kosovës, ka reaguar ndaj bllokimit të xhirollogarive bankare të disa komunave, përfshirë Lipjanin, Ferizajn, Vushtrrinë dhe Drenasin, që ka ndodhur sot më 15 korrik 2025. Ky vendim, sipas tyre, po paralizon funksionimin normal të institucioneve komunale dhe po rrezikon seriozisht ofrimin e shërbimeve bazike për qytetarët.

Sipas AKK-së, këto bllokime burojnë nga përmbarime që lidhen me detyrime të shkaktuara nga vendime të nivelit qendror, siç janë kontratat kolektive, për të cilat komunat nuk kanë asnjë përgjegjësi direkte.

Ata thonë se mungesa e një zgjidhjeje të qëndrueshme ligjore dhe financiare nga qeveria po dëmton rëndë pushtetin lokal dhe po ndikon drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve.

Pas këtyre raportimeve për bllokimin e xhirollogarive të disa komunave, Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi ka folur për FrontOnline, dhe tha se nuk ka informacion të saktë lidhur me arsyen e këtij bllokimi.

“Nuk e di arsyen për çka ka ndodhur, ndoshta ka pasur ndonjë defekt teknik, ndoshta ka ndodhur diçka tjetër, po presim ndoshta i zhbllokojnë”, tha ai.

Idrizi, tha se ky bllokim ka ndikim në realizimin e pagesave.

Ai tha se nuk ka asnjë arsye për bllokimin e këtyre llogarive dhe shpreson që llogaritë të zhbllokohen.

“Nëse bllokohen ndikon, se janë në pyetje pagesat, duhet të bëhen pagesat por po shpresojmë që i lëshojnë, por nuk ma merr mendja nuk ka ndodh kurrë me i blloku llogaritë, mund të ketë pas ndonjë problem ne Ministri të Financave, nuk kanë arsye me i blloku”, tha Idrizi për Front Online.