A mund ta frikësojnë Putinin kërcënimet e Trump?

50 ditë, ky është afati i fundit. Pastaj vendosen tarifa ndëshkuese 100 për qind. Si afati ashtu edhe kërcënimi vijnë direkt nga Shtëpia e Bardhë dhe shënojnë ndryshimin e qëndrimit të Donald Trump, për momentin.

Presidenti amerikan po i jep Kremlinit afat deri në fillim të shtatorit për t’i dhënë fund luftës kundër Ukrainës. Nëse deri atëherë nuk ka një “marrëveshje” ose të paktën një armëpushim midis Rusisë dhe Ukrainës, tha presidenti amerikan, tarifat ndëshkuese prej 100 përqind do të vendosen për të gjithë ata që ende bëjnë biznes me Rusinë, duke mbushur kështu “arkën e luftës” të Kremlinit.

Pas muajsh bisedimesh, duket se durimi i Donald Trump me Vladimir Putinin po merr fund. Trump tha, se ka dëgjuar shumë fjalë (nga pala ruse), po pastaj Kievi bombardohet përsëri natën tjetër.

“Nëse doni të dini të vërtetën, Putini po na flet shumë budallallëqe.”

Sanksionet dytësore, me të cilat kërcënon Trump mund ta ndryshojnë gjendjen. Ato do ta godisnin fort Rusinë, sepse synojnë edhe burimin më të rëndësishëm të të ardhurave të Rusisë: shitjen e lëndëve të para, veçanërisht naftës dhe gazit. Rreth gjysma e buxhetit të shtetit rus financohet nga burimet e lëndëve të para. Gjatë tre viteve e gjysmë të luftës, nuk është arritur të ulen ndjeshëm të ardhurat ruse nga biznesi i naftës dhe gazit. Kremlini i anashkaloi sanksionet e mëparshme, për shembull, me të ashtuquajturën flotë në hije.

Kërcënimet e Trump, të ashtuquajturat sanksione dytësore, shkojnë një hap më tej: Ato kanë për qëllim të dekurajojnë blerësit e lëndëve të para ruse. Nëse të ardhurat e Rusisë nga biznesi i naftës dhe gazit do të reduktoheshin ndjeshëm, kjo do të krijonte probleme të mëdha financiare për Kremlinin dhe ta bënin më të vështirë mbajtjen në punë të makinerisë së luftës.

Kërcënime me pikëpyetje: Megjithatë, kërcënimi i Trump, sado i fortë që mund të tingëllojë, është i mbushur me disa pikëpyetje. Mënjanimi i naftës ruse nga tregu, e cila përbën 10 përqind të tregut global, ka të ngjarë të shoqërohet me turbulenca masive në çmimet e naftës dhe nuk do të jetë e realizueshme në një afat të shkurtër.

Pikëpyetja tjetër: A do të ishte Donald Trump realisht i gatshëm të rrezikonte për Ukrainën një mosmarrëveshje të re tarifore me Kinën ose Indinë, ndër blerësit më të mëdhenj të naftës ruse. Pasojat e një mosmarrëveshjeje të tillë tarifore do të ndikonin edhe në Shtetet e Bashkuara dhe ka të ngjarë të çonin në trazira të reja në tregun global. Kurse lidhur me gazin rus, sanksionet dytësore do të ishin gjithashtu problematike edhe për partnerët evropianë. Si Austria edhe Hungaria gjithashtu blejnë gaz rus.

Senatori republikan Lindsey Graham, i cili e mbështet propozimin për sanksione dytësore, kishte bërë thirrje më parë për tarifa deri në 500 përqind. Graham bëri fjalë për një “çekiç goditës” në dispozicion të Trump për t’i dhënë fund luftës. Por duket se Donald Trump ka zgjedhur opsionin shumë më pak të ashpër./dw shqip/