Kryeministri shqiptar, Edi Rama, gjatë qëndrimit në Londër para Samitit të Procesit të Berlinit, është pyetur nëse është takuar ndonjëherë me presidentin rus Vladimir Putin.
Rama e mohoi prerë, fuke u shprehur: “Jo, faleminderit! Nuk jam takuar.”
Ai theksoi se Shqipëria është një rast i veçantë në raport me Rusinë, duke kujtuar se marrëdhëniet mes dy vendeve kanë qenë të ngrira.
“Ne jemi i vetmi vend në gjithë Europën që nga Kremlini nuk ka ardhur askush dhe nga pala jonë askush nuk ka shkuar në Moskë për të vizituar Kremlinin. Kjo ka lidhje me historinë tonë. Ne i konsideronim ata si tradhtarë, të degraduar, që nuk e meritonin shoqërinë tonë. Ne ishim fari i vetëm i komunizmit në Europë,” tha Rama, raporton A2 CNN.
“Stalini ka qenë në bulevardin tonë më i gjatë se unë në bronz. Kjo krijoi një mungesë totale besimi.”
Tutje, Rama shtoi se Shqipëria nuk ka pasur asnjëherë simpati për regjimin rus.
“Nuk na pëlqen Putini dhe Rusia aktuale, nuk na merr malli. Kurrë nuk jemi tunduar nga oligarkët rusë”, përfundoi Rama.