A është vënë në pikëpyetje projekti i dhëndrit të Trumpit në Beograd pas pranimit të falsifikimit?

Dy ditë pas arrestimit të kreut të Institutit Republikan për Mbrojtjen e Monumenteve në Serbi, publiku u informua për një pranim fajësie që po ndërlikon planet e dhëndrit të presidentit amerikan, Donald Trump, për investime në kryeqytetin serb.

Goran Vasiq, ushtrues detyre i drejtorit të institucionit përgjegjës për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, ka pranuar se në nëntor të vitit 2024 ka falsifikuar një nënshkrim në dokumentacionin me të cilin Qeveria e Serbisë hoqi statusin e mbrojtjes kulturore nga ndërtesa e Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë jugosllave, në qendër të Beogradit.

Bëhet fjalë si për rrënojat e godinës që u bombardua dy herë nga Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) në vitin 1999, ashtu edhe për pjesët e padëmtuara të saj.

Me këtë dokument të falsifikuar, u krijua baza ligjore për t’ia shitur objektin kompanisë së Jared Kushnerit.

Si drejtues i kompanisë private amerikane Affinity Global Development, Kushner njoftoi, pas blerjes, planet për ndërtimin e një hoteli luksoz dhe të një kompleksi banesor afarist në Beograd.

Kompania ka plane të ngjashme edhe në Shqipëri, duke e bërë kështu Ballkanin kyç në strategjinë e saj të investimeve.

Që nga ardhja në pushtet e partisë së presidentit Aleksandar Vuçiq para 13 vjetësh, pamja e Beogradit, sidomos në qendër, ka ndryshuar ndjeshëm. Rrokaqiejt e shumtë, kryesisht nga kompani të huaja, kanë ngushtuar infrastrukturën rrugore, duke vështirësuar ndjeshëm qarkullimin urban dhe jetën e përditshme në qytet.

Siç pritej, aktivistët dhe një pjesë e opinionit profesional reaguan kundër ndryshimit të pronësisë mbi ish-ndërtesën e Shtabit të Përgjithshëm.

“Është ende herët për të festuar”, tha arkitekti Milan Salata, anëtar i grupit të ekspertëve për mbrojtjen e kësaj ndërtese.

“Ky është rezultat i një presioni të madh publik – nga ekspertët, institucionet që refuzuan të bashkëpunojnë, deri te studentët që nisën protesta dhe tribuna publike”, tha Salata për Radion Evropa e Lirë (REL).

Kompania e Kushnerit nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it nëse arrestimi i Vasiqit ndikon në projektin e tyre, ndonëse ideja për kompleksin është publikuar në faqen zyrtare.

Kompania i tha gazetës amerikane The New York Times se ishte njoftuar për arrestimin përmes mediave, dhe se fati i projektit është tashmë i pasigurt.

Nga kompania thanë se do ta analizojnë situatën dhe do të marrin vendime të mëtejshme.

As Qeveria e Serbisë nuk ka reaguar, sikurse as presidenti Vuçiq, i cili në dy muajt e fundit ka pritur në Beograd djalin e Donald Trumpit.

Prokuroria për Krimin e Organizuar e Serbisë njoftoi më 14 maj se e ka marrë në pyetje të dyshuarin Goran Vasiq, i cili e ka pranuar fajësinë. Sipas prokurorisë, Vasiq kishte hartuar një propozim të falsifikuar, pa përfshirjen e ekspertëve të konservimit, dhe ia kishte përcjellë Qeverisë përmes Ministrisë së Kulturës.

Më 14 nëntor 2024, Qeveria serbe vendosi të heqë statusin e mbrojtjes kulturore për ndërtesën e Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë jugosllave dhe atë të Ministrisë së Mbrojtjes, duke i fshirë nga regjistri i monumenteve. Sipas prokurorisë, kjo solli dëm për trashëgiminë kulturore të Serbisë, që Vasiq ishte i obliguar ta mbronte.

Ai u emërua drejtor në fund të qershorit 2024, pas dorëheqjes së Dubravka Gjukanoviqit, e cila kishte refuzuar t’ia hiqte mbrojtjen kompleksit. Edhe drejtoresha e Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve të Beogradit, Ollivera Vuçkoviq, bëri të njëjtën gjë.

Pesë muaj më vonë, Qeveria hoqi ndërtesat nga regjistri. Punonjësit e Institutit dërguan një letër proteste, duke theksuar se vendimi ishte marrë jashtë çdo procedure ligjore. Arkitekti Salata shpjegon se objekti është vepra e vetme në Serbi e arkitektit modernist, Nikola Dobroviq, dhe për më tepër një kujtim i bombardimeve të vitit 1999 – prandaj vendimi për fshirjen e mbrojtjes është i pavlefshëm.

Organizata Evropa Nostra Serbia kërkoi nga Qeveria ta anulojë vendimin për heqjen e statusit të mbrojtjes për ndërtesën e Shtabit të Përgjithshëm, pas zhvillimeve të fundit dhe dyshimeve për falsifikim.

Instituti RERI (Instituti Rregullator për Energji të Qëndrueshme dhe Mjedis) e ka çuar çështjen për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese, ndaras nga procesi penal kundër Vasiqit.

Avokati Jovan Rajiq deklaroi për REL-in se kanë marrë konfirmim nga vetë institucioni që nuk e kanë hartuar dokumentin mbi të cilin bazohej vendimi i Qeverisë.

“Duhet të ndalen negociatat me investitorin dhe të pritet vendimi përfundimtar nga autoritetet kompetente”, theksoi ai.

Në mars 2025, organizata Evropa Nostra e përfshiu kompleksin e Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë jugosllave në listën e shtatë monumenteve më të rrezikuara në Evropë.

Vizita e parë zyrtare e një misioni ekspertësh pritet në gjysmën e dytë të qershorit, ku do të zhvillohen takime me institucionet përgjegjëse për fatin e kësaj ndërtese, tha Vesna Marjanoviq nga dega serbe e organizatës.

Në këtë listë janë përfshirë gjithashtu: Manastiri Arakelots në Armeni, Kalaja e Niborgut në Danimarkë, Kalaja Monemvazia në Greqi, Sinagoga e Madhe në Orla (Poloni), pishina Valhala në Gëteborg (Suedi) dhe Victoria Tower Garden në Londër (Britani).

Arkitekti Milan Salata vlerëson se në procesin që po zhvillohet kundër drejtorit të Institutit Republikan për Mbrojtjen e Monumenteve në Serbi, duhet të hetohen edhe aktorë të tjerë – para së gjithash nga pushteti ekzekutiv. Megjithatë, ai shton se gjithçka po duket sikur do të përfundojë me një “kurban” nga vetë fusha profesionale.

“Këtu janë të përfshirë drejtpërdrejt persona që kanë nënshkruar kontrata me investitorin amerikan – para së gjithash kam parasysh ish-ministrin e Ndërtimtarisë, Transportit dhe Infrastrukturës, Goran Vesiq. Po ashtu, është edhe ish-ministri i Kulturës, i cili në këtë rast do të jetë drejtpërdrejt përgjegjës nëse vërtetohet fajësia dhe anulohet vendimi për heqjen e mbrojtjes ndaj ndërtesës së Shtabit të Përgjithshëm. Atëherë shtrohet pyetja: kush brenda Qeverisë kishte kompetencën për të marrë një vendim të tillë ligjor”, shprehet Salata.

Kontrata për revitalizimin e kompleksit të Shtabit të Përgjithshëm u nënshkrua në mes të majit 2024 nga atëherë ministri i Ndërtimtarisë, Transportit dhe Infrastrukturës në Qeverinë e Serbisë, Goran Vesiq, me kompaninë e Kushnerit, Affinity Global Development.

Sipas asaj kontrate, e cila ende nuk është bërë publike, Serbia ia jep me qira për 99 vjet truallin e kompleksit. Më 18 mars, The New York Times raportoi se vlera e investimit është 500 milionë dollarë dhe se, sipas propozimit të kontratës, shteti serb do të përfitonte 22 për qind të fitimit.

Vesiq, në një deklaratë, ka thënë se investitori, sipas marrëveshjes, ka detyrimin të ndërtojë edhe një kompleks memorial në të njëjtën parcelë, kushtuar të gjitha viktimave të bombardimeve të NATO-s të vitit 1999.

Goran Vesiq nuk iu përgjigj thirrjes së Radios Evropa e Lirë për të komentuar këtë temë.

Ai është tërhequr pothuajse tërësisht nga skena publike pas nëntorit të kaluar, kur u ndalua dhe më pas u lirua shkurt pas një tragjedie në Novi Sad, ku humbën jetën 16 persona pas shembjes së një pjese të çatisë në Stacionin Hekurudhor të sapo rinovuar.

Gjatë kohës së atij projekti, që u realizua nga një investitor kinez, Vesiq ishte ministër i Ndërtimtarisë.