Disa muaj pas njoftimit se është duke eksploruar “mjete të tjera” për normalizimin e marrëdhënieve, kryediplomatja evropiane veçon rolin e brezit të ri në procesin e pajtimit Kosovë-Serbi.
Në prill të vitit 2025, përfaqësuesja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, sugjeroi se mund të duhen “mjete të tjera” për të çuar përpara normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, duke nënvizuar një të vërtetë: formati aktual i dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit nuk është as afër prodhimit të rezultateve.
“Ndoshta është dialogu, ndoshta është një tjetër mjet”, deklaroi kryediplomatja evropiane në një intervistë për “Radion Evropa e Lirë” pa dhënë detaje se çfarë mjetesh përtej formatit aktual mund të konsiderohen për të avancuar dialogun Kosovë-Serbi.
“Ajo që na intereson është normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, qoftë përmes këtij dialogu, apo ndonjë instrumenti tjetër, ne do të mbledhim ide dhe do të dalim me një propozim”, shtoi mes tjerash shefja e diplomacisë evropiane.
E në një seancë dëgjimore në Komitetin për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian, të mbajtur të martën e kësaj jave, ajo ndaloi veçanërisht tek roli i brezit të ri, duke theksuar se përfshirja aktive e të rinjve është thelbësore për çdo përpjekje afatgjatë dhe kuptimplotë drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Ne duhet të punojmë me të rinjtë, sepse nëse edhe ata që kanë lindur pas këtyre tragjedive ende mbajnë urrejtje, nuk mund të arrijmë kurrë normalizimin e marrëdhënieve”, deklaroi Kallas, derisa nënvizoi rëndësinë e angazhimit të të rinjve për të kapërcyer urrejtjet e së kaluarës dhe për të ndërtuar marrëdhënie për të ardhmen.
“Personalisht, jam duke i kushtuar shumë kohë kësaj çështjeje, edhe pse nuk duket sepse nuk është publike sikurse konfliktet e tjera, por unë jam duke punuar për këtë”, shtoi ajo në përgjigje të pyetjes së eurodeputetit kroat, Tonino Picula, i cili kërkoi të dijë nëse ka ardhur momenti që BE-ja të rishikojë qasjen ndaj procesit të dialogut.
Ndryshe, insistimi i Kallasit se normalizimi nuk mund të ketë sukses pa përfshirjen e të rinjve dhe pa thyer ciklin e urrejtjes së trashëguar, sugjeron se ajo është duke e konsideruar këtë “formulë” si mënyrën se si BE-ja do t’i qaset dialogut Kosovë–Serbi.











