A e mbështet Vjosa Osmanin për një mandat të dytë si presidente? Flet Kurti

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ditë më parë ka bërë të ditur se synon të kandidojë sërish për postin e presidentes së vendit.

E lidhur me këtë është deklaruar sot kryeministri në detyrë, Albin Kurti pas vizitës që i bëri Postës së Kosovës.

Ai u pyet nëse e mbështet Vjosa Osmani edhe për një mandat si presidente, ndërsa tha se së pari duhet të pritet certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve dhe konstituimi të Kuvendit.

“Ne së pari do të presim certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve, duhet të konstituohet kuvendi dhe të shohim përbërjen e legjislaturës së 10-të. Pra, duhet të shohim përbërjen e legjislaturës së 10-të dhe pastaj të ecim tutje.

Sot është dita e fundit e vitit 2025 dhe shpejt do ta takohem me presidenten Osmani. Duhet të bisedojmë njëherë bashkë për rrugën përpara. Por, ju e keni parasysh njëherë është konstituimi i Kuvendit, pastaj formimi i qeverisë dhe vetëm më pas është zgjedhja e presidentes ose presidentit”, tha ai.

I pyetur për mundësi bashkëpunimi me ndonjë parti politike, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje tha se rezultati i zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit është i qartë dhe se tashmë pengesat për formimin e Kuvendit të Kosovës dhe qeverisë janë inekzistente.

“Nuk kam ndonjë gjë të re për të thënë, rezultati është më i qartë se asnjëherë më parë. Ne kemi pritur që do ta tejkalojmë rezultatin e 9 shkurtit sivjet, por duket që po e tejkalojmë edhe rezultatin e 14 shkurtit të vitit 2021. Bllokimet në konstituimin e Kuvendit dhe pengesat për formim të qeverisë së re tashmë janë inekzistente”, deklaroi Kurti.