Zënka për parking në mes të G.J., dhe A.M., i solli të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë dy të pandehurit. Por, që të dy dhanë pëlqimin që procedura të shkojë me ndërmjetësim.
Gjyqtari i çështjes, Sabit Sadikaj, para se të lexohej aktakuza, i njoftoi palët me të drejtat e tyre dhe me procedurën e ndërmjetësimit si zgjidhje mes tyre, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Dy të akuzuarit që po ngarkohen për “Lëndim të lehtë trupor” dhanë pëlqimin që çështja të shkojë përmes procedurës së ndërmjetësimit.
Gjithashtu, edhe prokurorja Ardiana Veseli, u pajtua që të procedohet me ndërmjetësim.
“Pajtohem që kjo çështje të referohet përmes procedurës së ndërmjetësimit”, deklaroi prokurorja Veseli.
Më pas, seanca e sotme përfundoi pasi palët vendosën që procedohet me ndërmjetësim.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 23 shtator 2024, G.J., dhe A.M., akuzohen për lëndim të lehtë trupor.
Në aktakuzë thuhet se G.J., akuzohet se më 11 korrik 2024 në Prishtinë, me dashje i shkaktoi lëndim të lehtë trupor këtu të dëmtuarit A.M. Aty thuhet se gjithçka ndodhi si pasojë e një mosmarrëveshjeje e atëçasshme që kishin mes vete palët në parkingun e vetura. Derisa i pandehuri ishte afruar tek një lokal me qëllim që ta parkonte veturën dhe të hynte në lokal, anë ato momente i dëmtuari e kishte parkuar veturën.
Aktakuza thotë se në ato momente, G.J., i ishte afruar A.M afër fytyrës duke ju drejtuar me fjalët “A e di se kush jam unë?” dhe më pas e kishte goditur të dëmtuarin me grusht në buzën e poshtme, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore.
Me këto veprime, G.J., akuzohet se ka kryer veprën penale “Lëndim i lehtë trupor” nga neni 185, par.1 nënpar. 1.4 të Kodit Penal.
Kurse, i pandehuri A.M., akuzohet se me datë, kohë dhe vend si në dispozitivin e parë të aktakuzës, akuzohet se i shkakton lëndime trupore këtu të dëmtuariit G.J., pasi ishte sulmuar nga ky i fundit. Akuzohet se e kishte goditur G.J në pjesë të ndryshme trupore.
Me këto veprime, A.M., akuzohet se ka kryer veprën penale “Lëndim i lehtë trupor” nga neni 185, par.1 nënpar. 1.4 të Kodit Penal.











