“A duket më e drejtë?” Zambrotta e merr me shaka operacionin delikat në këmbë

Gianluca Zambrotta, ish-lojtari i Juventusit dhe Milanit, iu nënshtrua një operacioni dhe vendosi të ndajë gjithçka me ndjekësit e tij në Instagram. Kampioni i botës 2006 publikoi momentet nga shtrimi në spital deri te zgjimi pas ndërhyrjes, duke postuar edhe një foto ku shihet me këmbën e majtë të fashuar. Me humor, ai shkroi: “A duket më e drejtë?”

Pra, duket se i merr me të qeshur rezultatet e para të operacionit për korrigjimin e “varizmit”, pra këmbëve të harkuara. Pas shakasë në rrjete sociale fshihet një arsye serioze, konsumimi i madh gjatë karrierës. Në podcastin “Passa dal Bsmt”, Zambrotta shpjegoi se është operuar tri herë në menisqet e brendshme dhe sot nuk i ka më as në të majtën, as në të djathtën. “Me kohën, këmbët m’u harkuan… Mjekët më shikojnë dhe më pyesin si arrij të ec”, – tregoi ai, duke zbuluar domosdoshmërinë e ndërhyrjes kirurgjikale.

Për ta zgjidhur problemin dhe drejtuar boshtin e këmbëve, Zambrotta iu nënshtrua një osteotomie. Ai vetë e kishte shpjeguar procedurën me fjalë të thjeshta: “Në praktikë, do m’i drejtojnë këmbët duke më prerë disa pjesë të vogla kocke sipër dhe poshtë dhe vendosur pllakëza metalike”. Bëhet fjalë për një ndërhyrje parandaluese që synon ta shtyjë sa më shumë në kohë vendosjen e një proteze totale, proces që, siç ka pranuar ai, “do të duhet të bëhet pas disa vitesh”.

The post “A duket më e drejtë?” Zambrotta e merr me shaka operacionin delikat në këmbë appeared first on Telesport.