A duhej shkarkuar edhe Bislimi, si Vokrri, për kërcënimin ndaj BE-së: “E eskalojmë prapë”?

A e trajton qeveria njëjtë të gjithë zyrtarët për deklaratat publike?

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, të premten, e liroi nga detyra zëvendësministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri, meqë ky i fundit akuzoi komunitetin ndërkombëtar se në disa raste ka nxitur trazira në Veri të Kosovës.

Arsyeja e shkarkimit të tij ishte se deklaratat e Vokrrit nuk i “përfaqësonin qëndrimet e Qeverisë së Kosovës”.

Por, marrë për bazë këtë premisë, a do të duhej që edhe zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, të shkarkohej për një deklaratë të tij skandaloze që lidhje pikërisht me situatën e sigurisë në Veri të Kosovës?

Në shkurtin e vitit të kaluar, në një intervistë për KTV, duke e përbrendësuar kritikën e Serbisë se Kosova është ajo që e eskalon situatën në komunat veriore dhe në linjë me akuzat e presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, Bislimi ishte drejtuar Bashkimit Evropian që të mos e detyrojnë Kosovën “ta eskalojë situatën prapë”.

Derisa fliste për dakordimin me BE-në për hapat de-eskalues që duhet t’i ndërmerr Kosova për ta shtensionuar situatën në Veri dhe rrjedhimisht t’i hiqen masat, Bislimi kishte potencuar se “ne” i kemi thënë BE-së që të mos na detyrojë ta eskalojmë situatën prapë.

“Ne kemi thënë: masat për de-eskalim duhet të hiqen për shkak të de-eskalimit, mos na detyroni me eskalu situatën për m’iu tregu që e de-eskalojmë prapë”, kishte deklaruar njeriu i dytë i Qeverisë së Kosovës.

Ndryshe Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtm dhe Siguri, Kaja Kallas, në një konferencë për media, të enjten, në Kosovë, para fillimit të takimeve me liderët e partive politike njoftoi se Unioni ka nisur t’i heq masat ndaj Kosovës.

Sipas saj heqja e masave të vendosura Kosovës në qershorin e vitit 2023, po bëhet gradualisht.

“Mund të njoftoj se BE-ja ka nisur gradualisht t’i heqë masat të prezantuara në qershor 2023”, tha ajo.

Në këtë kontekst, Kallas ka thënë se heqja e masave është e kushtëzuar me ruajtjen e situatës në Veri të Kosovës, ku përmendi edhe mbylljen e strukturave paralele serbe në Veri.

“Por, mendoj se është e rëndësishme që në të njëjtën kohë nuk duam të shohim eskalim në Veri. E them sepse personalisht jam angazhuar t’i bind vendet anëtare për heqjen e masave. Por, disa thonë se Kosova duhet ta respektojë marrëveshjen e Ohrit dhe se përshkallëzimi në Veri po vazhdon përkundër kësaj. Kjo është pengesa që kemi. Jemi të gatshëm të bëjmë hapat tonë, por vërtetë duhet të shohim shtensionim në Veri”, shtoi ajo.