Kuvendi Komunal i Prishtinës votoi bartjen e mjeteve buxhetore nga viti 2024 në 2025. 38 vota ishin pro dhe 1 abstenim. Shuma e mjeteve financiare kap vlerën e 28 milionë eurove. Derisa votimi i buxhetit për vitin 2026-të u shty për seancën tjetër.
Kuvendi Komunal i Prishtinës ka vendosur me 38 vota për, për bartjen e fondeve të vitit 2024.
Kjo ka ndodhur në seancën e sotme, në mesin e përplasjeve të forta.
Kurse, për buxhetin e vitit 2026, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se është më mirë të votohet nga përbërja e re e Asamblesë.
“Dy vendime thelbësore, bartja e mjeteve nga vitit paraprak në vlerë 28 milionë euro dhe votmi i buxhetit 2026. Prioritet jane qytetarët. Asnjë kalkulim politik nuk guxon te vihet mbi nevojat e tyre. Kërkoj publikisht që edhe fondet prej 35 milionë eurove të cilat u takojnë qytetarëve me ligj, e nuk kërkojnë procedura në Asamble, por vullnet nga Murati mos të zvarriten”, tha Rama.
Edhe asamblistët e VV-së, votuan për.
“Ne asamblistët e VV’së do ta votojmë bartjen e mjeteve, jo për ta shpëtuar Përparim Ramën, por për t’i ndihmuar përkohësisht Prishtinës nga zullumi i Përparim Ramës”, tha Sveçla. Ai theksoi se përgjegjësia ndaj qytetit mbetet parësore: “Punëtori i trafikut urban nuk është fajtor për paaftësinë e kryetarit, studenti dhe pensionisti që pret autobusin në stacion nuk duhet ta paguajë çmimin e dështimeve të Përparimit.”, tha ai.
Sveçla shtoi se buxheti i Prishtinës “nuk është mjet i pazareve, por instrument i shërbimeve publike”, duke kërkuar që fondet të vihen menjëherë në funksion të qytetarëve.
Ish-asamblisti i VV-së, Berat Lahu, ua nxori disa sekrete ish-partisë.
“Ke bo takime e pazare tinza edhe grupit tënd parlamentar, edhe partisë tënde. 4 vjet kryetarit Rama nuk janë të mira, ka plot ngecje, plot çështje që kisha bo ndryshe. Prishtina është keq. Shkoj boj della me Rrahman Haradinain 50 milion euro me ia kalu pronat, kjo më bën me vjell, vjen shitesh në moralin politik që e ka pasur VV-ja dikur, ose e ka ende, po më nuk e ka ma. 4 vjet ia keni bo argatin PDK-së me pru Uran Isamilin në balotazh. VV-ja asnjëherë në Prishtinë nuk ka qenë në vendin e tretë. Mrena grupit ton u thanë hajde te lajna Prishtinën bërllog, e te mujna Ramën”, tha Berat Lahu.
Sveçla akuzoi ashpër Përparim Ramën, se kinse ofendon LDK-në dhe Lumir Abdixhikun.
“Parimet dhe qëndrimet e tua i orienton interesi personal financiar. Ky orientim i yti është drejt LDK-së. Kur jemi te LDK-ja ti e din çka ke thënë për LDK-në e për Lumir Abdixhikun. Mjafton 10 minuta bisedë me ty, me pasë edhe ndonjë gotë me shoqëru dhe vazhdon rrëfimi yt i zakonshëm për LDK-në me një gjuhë jo aq akademike si partia dhe me shprehje të moshës madhore”, akuzoi Sveçla nga foltorja e Kuvendit Komunal të kryeqytetit.
Lahu: Brenda VV-së u kërkua të bllokohej ‘Pastrimi’ që Prishtina të mbushej me bërllok










