A do të rikthehet “Squid Game” me një sezon të katërt? – “Loja ka mbaruar” thotë regjisori i serialit

Finalja e sezonit të tretë të “Squid Game” vjen me një mesazh të qartë: “Game over (Loja mbaroi)”.

Në episodin e fundit, personazhi i njohur si Front Man (interpretuar nga aktori Lee Byung-hun) aktivizon protokollet e evakuimit, teksa rojet me uniforma rozë braktisin dhomën e kontrollit dhe, më pas, edhe vetë ishullin. Në ekranet e qendrës komanduese shfaqet fjalia e famshme: “Loja mbaroi” — dhe kjo nuk vlen vetëm për ngjarjen në serial, por për vetë serialin.

“Squid Game” nuk do të ketë sezon të katërt, shkruan Netflix.

Kjo është konfirmuar zyrtarisht nga regjisori i serialit, Hwang Dong-hyuk, i cili verën e kaluar publikoi një letër për fansat, ku tha: “Jam i emocionuar që fara që u mboll me krijimin e ‘Squid Game’ ka rritur një pemë që tani po jep frytin përfundimtar të kësaj historie”.

Ai shtoi se sezoni i tretë do të jetë i fundit dhe finalja do të transmetohet në vitin 2025. Tashmë, gjashtë episodet e fundit janë në dispozicion për t’u parë dhe përfaqësojnë fundin e udhëtimit të Gi-hun dhe gjithë lojës.

Fillimisht, Hwang nuk kishte planifikuar që protagonisti Gi-hun (Lee Jung-jae) të vdiste në sezonin e tretë, por gjatë procesit të shkrimit, realizoi se kishte nevojë për një fund të qartë dhe domethënës: “E ndjeva se ishte koha ta mbyllja udhëtimin e Gi-hun dhe t’i përcillja publikut një mesazh: Nëse ndjekim vetëm interesin tonë të menjëhershëm, pa vetëpërmbajtje, pa sakrifica dhe pa bashkëpunim, nuk kemi të ardhme”.

Foto: Netflix

Ky mesazh final u përçua përmes një episodi të thellë emocional dhe kuptimplotë, ku zbulohet se kush fiton, kush humb dhe kush mbijeton nga loja.

Krijuesi i serisë tregon se realizimi i 22 episodeve në total ka qenë një rrugëtim i lodhshëm, por i paharrueshëm: “E ndjej një ndjesi të ëmbël dhe të hidhur që gjithçka mori fund. Do të më mungojnë skenat si konvikti me krevate trefish që më shkaktonin ankth, shkallët labirintike ku gjithmonë humbja rrugën për të dhënë udhëzime, apo arenat e lojërave që më dhembte t’i shembnim pas xhirimeve”.

Ai shton: “Madje edhe lodhja fizike nga ditët e gjata në set do të më mungojë. Por më shumë se gjithçka tjetër, do të më mungojnë kujtimet që krijuam së bashku”.

Në fund, Hwang e përmbyll me një reflektim emocional: “Ajo që mbetet në thelb është gëzimi që ndjenim kur krijonim diçka së bashku. Kur pashë që ajo që kisha vizualizuar në mendjen time po merrte jetë përpara syve të mi — edhe më mirë sesa e kisha imagjinuar — ajo ndjesi ishte e paçmuar. Do ta mbaj mend gjatë”.

Seriali i plotë “Squid Game” tashmë është i disponueshëm për t’u rishikuar në Netflix. Për më shumë informacione dhe prapaskena nga loja, vizitoni platformën Tudum.