Deri në fillim të muajit mars në vendimet gjyqësore të pandehurit identifikoheshin vetëm me iniciale, por tani ka nisur publikimi i emrave dhe mbiemrave të këtyre personave. E ky vendim i Këshillit Gjyqësor të Kosovës është mirëpritur nga njohës të sistemit të drejtësisë, por edhe nga ata që mbrojnë të akuzuarit. Sipas tyre, këto ndryshime ndikojnë në rritjen e besueshmërisë ndaj institucioneve gjyqësore, si dhe transparencën e këtyre të fundit.
Edhe udhëzimi administrativ për publikimin e vendimeve gjyqësore që u miratua në mbledhjen e 28 shkurtit të këtij viti ka për qëllim të rregullojë publikimin e aktgjykimeve dhe aktvendimeve për zgjidhjen e çështjeve, në ueb-faqen zyrtare të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, me qëllim të rritjes së transparencës, besimit të publikut, si dhe unifikimin e praktikës gjyqësore në sistemin gjyqësor.
Monitoruesi i proceseve gjyqësore nga Instituti i Kosovës për Drejtësisë (IKD), Flamur Kabashi e ka mirëpritur këtë udhëzim, i cili beson se do të kontribuojë në rritjen e besueshmërisë karshi gjyqësorit.
“Është një lloj lehtësimi edhe për gjykatën sepse do të duhej t’i anonimizonin vendimet penale me iniciale do të duhej t’i publikonin dhe tashmë nuk e kanë këtë detyrim dhe njëkohësisht edhe vetë qytetarët e Kosovës nuk kanë më hamendje se kush është personi i akuzuar në fjalë, mirëpo e ka me emër të plotë. Ky udhëzim në formën se si është publikuar dhe hartuar dhe miratuar nga KGJK-ja jashtëzakonisht është i mirëpritur dhe do të duhej të ishte i mirëpritur nga shoqëria civile dhe jam i bindur se do ta rris besimin në institucionet gjyqësore të Kosovës“, thekson Kabashi.
Kabashi është i bindur se publikimi i emrit dhe mbiemrit të personit të dyshuar nuk përbën cenim të privatësisë së tyre.
Publikimi i identitetit të të pandehurve po konsiderohet si hap pozitiv drejt transparencës së gjyqësorit edhe nga avokati, Ardian Bajraktari.
Sipas tij udhëzimi administrativ për publikimin e vendimeve gjyqësore është në linjë me Kodin e Procedurës Penale.
“Është një linjë me dispozitat ligjore të Kodit të Procedurës Penale me theks të veçantë neni 369 dhe 370 sipas të cilit parashihet që të publikohen vendimet. Natyrisht udhëzimi përcakton edhe mënyrën e publikimit, pastaj edhe rrethanat përjashtuese se çka në fakt mund dhe duhet të publikohet si dhe çka nuk mund të publikohet. Për më tepër shkon në funksion të një sistemi gjyqësor të hapur dhe transparent”, thotë ai.
Bajraktari konsideron se ky udhëzim i ri nuk cenon privatësinë e të pandehurve.
Neni 5 i këtij udhëzimi administrativ thotë se në vendimet gjyqësore penale publikohet emri dhe mbiemri i të pandehurit dhe emrat e ekspertëve, ndërsa anonimizohen për të pandehurin: numri personal, data dhe vendi i lindjes, vendbanimi si dhe emri i prindërve dhe për të dëmtuarit dhe dëshmitarët: emri dhe mbiemri, emri i prindërve, numri personal, data dhe vendi lindjes, vendbanimi.
Ndërkaq, në vendimet gjyqësore civile, komerciale dhe administrative publikohen pa anonimizim, kur gjyqtari i çështjes vlerëson se përmbushet njëri nga kriteret si: publikimi i tyre kontribuon në çështje me interes publik, pala e përfshirë është figurë politike ose publike, si dhe çështja ka të bëjë me shpenzimin e parasë publike.