A do të na gjej fundi i marsit me Kuvend të konstituar e qeveri të formuar?

Me certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të 9 shkurtit, proces i cili ende nuk dihet se kur do të ndodhë, do t’i hapet rrugë konstituimit të Kuvendit të Kosovës, dhe krijimit të Qeverisë së re. E fundi i muajit mars po konsiderohet si një afat kohor, i cili do ta gjejë Kosovën me institucione të reja.

Procedurat e mëtutjeshme për konstituimin e Kuvendit të Kosovës i ka shpjeguar hulumtuesi në Instituti e Kosovës për Drejtësi (IKD), Naim Jakaj.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani brenda 30 ditëve duhet të thërrasë mbledhjen konstituive të Kuvendit të Kosovës, pas certifikimit të rezultatit zyrtar zgjedhor nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në të cilën zgjidhet kryetari i Kuvendit, i cili në bazë të rezultateve të zgjedhjeve i takon Lëvizjes Vetëvendosje,Guxo dhe Alternativa, dhe pastaj zgjedhën edhe nënkryetarët e Kuvendit.

“Certifikimi i rezultatit përfundimtar i qel rrugë presidentes që me thirr seancën e parë konstituive, e cila duhet me u mbajt 30 ditë nga data kur shpallen rezultatet përfundimtare. Në rast se presidentja nuk e thërret….atëherë Kuvendi mblidhet vetë në ditën e 30, e thërret presidentja, por kryetari i Kuvendit nuk e thirr mbledhjen e kryesisë për ta caktuar rendin e ditës, Kuvendi mblidhet prapë me datën kur e ka thirr presidentja, dhe po në atë seancë do të duhej të zgjidhej kryetari, nënkryetarët në mënyrë që të konstituohet Kuvendi…..I hapet rrugë që presidentja partinë e parë që ka dal nga zgjedhjet që ta propozoj mandatarin e qeverisë. Në ndërkohë pas marrjes së dekretit nga mandatari, ai ka një afat deri 15 ditë që t’ia propozoj Kuvendit përbërjen e Qeverisë së Kosovës dhe të dëshmoj që i ka edhe numrat. Në rast të një dështimi të tillë, atëherë presidentes i hapet prapë një rrugë tjetër që të dialogojë me partitë tjera apo koalicionet që dëshmojnë se i kanë votat.. Prej momentit që dekretin e merr i dyti, ky i ka pastaj 10 ditë për ta themeluar Qeverinë e Kosovës. Në rast se as ky i dyti nuk mundet, vendi shkon në zgjedhje”, shprehet Jakaj për Kosovapress

Hulumtuesi i IKD-së beson që fundi i muajit mars do ta gjejë Kosovën me institucione të formuara.
Drejtori i Oda Consulting, Erblin Hoxha shprehet optimist që kah mesi i muajit të ardhshëm do të ndodh konstituimi i Kuvendit të Kosovës. Politologu Hoxha nuk beson se vendi do të shkoj përsëri në zgjedhje, të paktën jo deri vitin e ardhshëm kur Kuvendit të Kosovës do t’i duhet të zgjedh presidentin e vendit.Më 9 shkurt qytetarët e Kosovës votuan për përfaqësuesit e tyre të ardhshëm për katër vite.

Sipas rezultateve aktuale, në këto zgjedhje parlamentare partia fituese është Lëvizja Vetëvendosje, Guxo dhe Alternativa me 40.89 %, pas saj renditet Partia Demokratike e Kosovës me 22.40 %, pasuar nga Lidhja Demokratike të Kosovës me 17.23 %. Koalicioni AAK-NISMA ka marr 7.40 % të votave, ndërsa Lista Serbe me 4.81 %.

Sipas rezultateve të KQZ për vendvotime, përbërja e Kuvendit të ardhshëm për 100 ulëset e shumicës do të duket kështu: Lëvizja Vetëvendosje, Guxo dhe Alternatia me 47 deputetë, PDK me 25 deputetë, LDK do të ketë 20 deputetë, ndërsa, AAK-NISMA, 8 deputetë.