Zhvillimet e fundit politike në vend janë cilësuar si inkurajuese nga analisti politik Shemsi Jashari, i cili ka theksuar se ka shpresë për tejkalimin e bllokadës institucionale.
“Zhvillimet janë inkurajuese me shpresën që do të ndihmojnë për të dalë nga ky qorrsokak ku kanë hyrë subjektet politike me këtë pasivitet, me këtë injorancë në raport me nevojën e konstituimit të institucioneve”, deklaroi Jashari në TV Dukagjini.
Ai e vlerësoi si hap të duhur ftesën e presidentes për konsultime me partitë politike, ndonëse theksoi se ajo ka ardhur me vonesë dhe pa qartësi fillestare. “Roli i presidentes është më shumë inkurajues dhe shtytës, por jo mandat politik”, u shpreh Jashari, duke shtuar se në rast të refuzimit të ftesës nga Lëvizja Vetëvendosje, përgjegjësia për krizën do të jetë më e qartë për opinionin publik.
Në të njëjtin emision, avokati Ardian Bajraktari tha se angazhimi i Presidentes Vjosa Osmani është në përputhje me përgjegjësinë e saj kushtetuese, edhe pse tradicionalisht në këtë fazë presidentja nuk pritet të ndërhyjë.
Takimi i së enjtes, Osmani po planifikon t’i bëjë bashkë Kurtin, Krasniqin, Abdixhikun e Haradinajn
“Mosangazhimi i saj deri tani ka qenë për shkak se ka pritur sinjale nga partitë politike. Tashmë që ato sinjale janë dhënë, ftesa e saj është tentativë për të kaluar këtë situatë”, tha Bajraktari.
Ai theksoi se bllokimi i institucioneve nuk i shërben askujt dhe se përgjegjësia për zgjidhjen e krizës bie para së gjithash mbi partinë fituese të zgjedhjeve.
Ndërkaq, Vullnet Bugaqku nga KDI vlerësoi se presidentja duhet të luajë një rol më të fuqishëm në zhbllokimin e procesit për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Ai konfirmoi se shumica e partive kanë pranuar ftesën për konsultime, por shprehu skepticizëm se do të ketë ndonjë ndryshim në seancën e ardhshme konstituive.
“Nuk pres ndonjë risi apo zhvillim ndryshe nga ajo çfarë ka ndodhur në seancat e fundit. Me gjasë do të jemi dëshmitarë të një përsëritjeje pa rezultat”, përfundoi Bugaqku.