A do të kemi sërish grevë në arsim

Disa ditë pasi Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) hoqi dorë nga greva në arsim pasi në Projektligjin për paga u ngritën koeficientet e disa kategorive të punëtorëve të arsimit, drejtues të sindikatës tash po kërkojnë mosdekretimin e Ligjit nga presidenti, shkruan sot “Koha Ditore”.
Ndryshimet e koeficienteve ishin bërë një ditë para se Kuvendi të miratonte Ligjin, ku drejtues të Qeverisë, komisionit për administratë e kryetari i Kuvendit i kishin premtuar SBASHK-ut ngritje rreth 20 për qind të koeficienteve.
Drejtues të Sindikatës po konsiderojnë se Ligji duhet të mos dekretohet dhe kështu të kthehet në pikën zero. Kjo pasi mësimdhënësit e arsimit fillor (1-5) nuk janë të kënaqur me koeficientet e tyre dhe po konsiderojnë se janë diskriminuar në krahasim me mësimdhënësit e arsimit të mesëm të ulët (6-9). Diferenca në pagë është 35 euro më shumë për këta të fundit.
Menaxheri për financa në SBASHK, Ymer Ymeri, ka thënë se më e mira është që Ligji të mos dekretohet fare në mënyrë që askush të mos mbetet i pakënaqur.