A do të japë llogari Sveçla? Çfarë tha aktivisti i LDK-së që u fotografua pa pëlqimin e tij

Të dielën në 18 komuna të Kosovës u mbajt rundi i dytë i zgjedhjeve, pasi rundi i parë s’arriti ta përcaktojë fituesin. Prishtina ishte një ndër to. Atje u bë viral momenti kur ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, fotografoi një aktivist të LDK’së që po qëndronte jashtë oborrit të shkollës dhe në setrën e tij kishte emblemën e LDK’së. Për këtë tashmë, LDK është ankuar në PZAP dhe pritet të ndjekë edhe rrugë tjera ligjore. Aktivisti, Art Merkoja, dje në “Frontal” tha se do të ishte humane nga Sveçla të kërkojë falje por nuk e pret një gjë të tillë nga ai.

 

Aktivisti i LDK’së, Art Merkoja, është përballur me ministrin Sveçla ditën e balotazhit. Ministri i ka thënë se nuk lejohet që Merkoja të bartë emblemën e LDK’së te shkolla.

“Kjo nuk lejohet, LDK te shkolla nuk lejohet, rreth shkollës nuk lejohet”, i tha Sveçla e më pas e fotografoi.

Merkoja iu kundërpërgjigj duke i thënë se nuk i lejohet ta fotografojë dhe e paralajmëroi që do t’i ndjekë rrugët ligjore.

“Ti me më fotografu nuk lejohet, ministër duhesh me i ditë ligjet ma i mirë, shihemi në gjykatë Xhelal”, ia ktheu ai.

Sveçla reagoi në Facebook duke shkruar: ‘Institucionalistët’ në shkelje të ligjit për zgjedhjet para qendrës së votimit me simbol partiak. Panik!

Merkoja dje në emisionin “Frontal” të T7 tha se LDK ka dorëzuar padi në PZAP dhe do të ndjekin rrugë tjera ligjore.

“Sot më së pari është dorëzu ankesa në PZAP, ku LDK ka bërë ankesën dhe konform kësaj do të vazhdojmë edhe me rrugë tjera ligjore”

Ai tha se ka qenë në rrugë dhe jo në ambientet e shkollës, duke shtuar se kur ka votuar e ka hequr emblemën e LDK’së.

Express ka pyetur Agjencinë për Informim dhe Privatësi për këtë çështje, mirëpo deri në publikimin e lajmit ata nuk kanë kthyer përgjigje.

Pas publikimit të pamjeve, LDK doli me një komunikatë duke e dënuar ashpër sjelljen e Sveçlës.

“Lidhja Demokratike e Kosovës dënon ashpër sjelljen e papranueshme, arrogante dhe kërcënuese të deputetit Xhelal Sveçla ndaj një aktivisti tonë, i cili po qëndronte qetësisht në trotuar. Përveç tjerash ka ndaluar atë dhe e ka fotografuar pa pëlqimin e tij, veprim ky i ndaluar me ligj dhe përbën shkelje të të drejtave themelore të qytetarëve.”