Të dielën e 26 tetorit, kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ‘ra nga testi’ për t’u bërë kryeministër, pasi dështoi t’i sigurojë 61 votat e mjaftueshme për të krijuar qeverinë. Edhe pse për muaj shfaqej i përgatitur para këtij ‘provimi’ rezultati tregoi diçka tjetër. ‘‘Unë ju them atyre më testoni’’, thoshte Kurti, drejtuar deputetëve të partive tjera gjatë kohës që ua kërkonte votat për konstituimin e kuvendit. Për krijimin e qeverisë, ai nuk ishte skeptik në atë se a do ta formonte, porse duhej të konstituohej kuvendi. Konstituimi ndodhi, por jo edhe qeveria.
Kësisoj, Kurtit s’i mjaftuan 15 ditët e afatit që i ka mandatari. Ai s’gjeti partnerë tek asnjëra parti politike. As NISMA e Fatmir Limajt që shihej si parti më e hapur për bashkëpunim me VV’në, s’i dha tri votat e saj për Kurtin. Këtij të fundit s’i bëri punë as fjalimi ‘i butë’ që mbajti në seancën e 26 tetorit.
Meqë vetë dështoi, Kurti u kthye kah ‘krahu i djathtë’ tij, nënkryetari i VV’së, Glauk Konjufca. Këtë të fundit, në një mbledhje të këshillit të përgjithshëm të kësaj partie, mes shumë lëvdatash mes vete, e propozoi për kryeministër.
Në të njëjtën ditë, presidentja e vendit, Vjosa Osmani e miratoi propozimin e Kurtit, duke e mandatuar Konjufcën për kryeministër, shkruan Gazeta Express.
Këtij të fundit kësisoj, filloi t’i rrjedhë afati brenda të cilit duhet të dalë para deputetëve për të kërkuar votën për formimin e qeverisë.
Për këtë, Eugen Cakolli nga KDI, ditën e djeshme përmes një postimi në Facebook, deklaroi se, ‘’shembulli i urtësisë’’, siç e cilësonte Kurti, pra Konjufca, ka kohë deri me 19 nëntor që ta formojë qeverinë.
‘‘Mandatari i ri për kryeministër ka afat deri më 19 nëntor për ta paraqitur kabinetin dhe programin qeverisës në Kuvend, dhe për të siguruar të paktën 61 vota. Nëse deri atëherë nuk arrihet votimi me sukses, më 20 nëntor Presidentja duhet ta shpërndajë Kuvendin, duke hapur rrugën për zgjedhje të reja’’, ka shkruar Cakolli dje.
Megjithatë, tentimi i Kurtit duket se do të dështojë. Kjo pasi partitë e tjera kanë deklaruar tashmë se ata ashtu si për Kurtin, nuk kanë vota as për Konjufcën.












