Menu Close

Murati: Paga e 13-të do të paguhet në fillim të vitit të ardhshëm, komunat nuk janë dëmtuar nga rishikimi i buxhetit

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka deklaruar se paga e 13-të për sektorin publik është e paraparë me Ligjin e Buxhetit dhe do të paguhet në fillim të vitit të ardhshëm.

Ministri kundërshtoi edhe deklaratat se komunat po penalizohen nga rishikimi i buxhetit, duke theksuar se një pjesë e konsiderueshme e fondeve u dedikohet pikërisht komunave.

“Gjysma e personelit që paguhet nga buxheti i shtetit është në komuna. Mjetet ndahen proporcionalisht dhe komunave u transferohen fondet për mbulimin e pagës së 13-të dhe përvojës së punës”, u shpreh ai.

Sa i përket pagës së 13-të, Murati tha se ajo ka qenë e paraparë në Ligjin e Buxhetit tash e tri vjet dhe se pagesa e saj për vitin 2026 ishte planifikuar të bëhej në fillim të vitit.

Ai shtoi se veprimet aktuale përbëjnë vetëm mbulim të hershëm të hendekut buxhetor, sipas parashikimeve të ligjit, ndërsa theksoi se paga e 13-të për vitin e ardhshëm do të paguhet në fillim të vitit 2027. Murati tha se, nëse miratohet rishikimi i buxhetit, punonjësit do të përfitojnë edhe pagesën retroaktive të shtesës për përvojën e punës prej 0.5 për qind, duke nisur nga data e hyrjes në fuqi të Ligjit të Pagave e deri në fund të vitit 2025.

Murati iu përgjigj deputetes së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, e cila tha se është krijuar pritshmëria te rreth 83 mijë shërbyes civilë se, pas amendamentimit të Ligjit të Buxhetit, do të përfitojnë një pagë shtesë në fund të vitit.

“Ministër, është krijuar opinioni dhe ka një diskutim të përgjithshëm te rreth 83 mijë shërbyes civilë se, me amendamentimin e Ligjit të Buxhetit, në fund të këtij viti do ta marrin pagën e 13-të. E kemi parë nga dokumentacioni se fondi për pagën e 13-të është fond të cilin ju do ta mbuloni për ekzekutimin e pagës së 13-të, të cilën e keni bërë më 31 mars të këtij viti. Ne e dimë të gjithë se cili ka qenë qëllimi. Më 31 mars, zgjedhjet e 7 qershorit veçse ishin shpallur dhe kjo ka qenë arsyeja pse ju, pa e planifikuar në Buxhetin e vitit 2026, e keni ekzekutuar një pagë të 13-të.”- deklaroi Bajrami.

Related Posts