Menu Close

Më 21 dhjetor nis gjykimi në mungesë ndaj Milan Radoiçiqit dhe 19 të tjerëve për vrasjen e 107 civilëve në Gjakovë

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar për 21 dhjetor 2026, në orën 09:30, seancën fillestare ndaj Milan Radoiçiqit dhe 19 të akuzuarve të tjerë për krime lufte kundër popullsisë civile në Komunën e Gjakovës, përfshirë vrasjen e 107 civilëve shqiptarë.

Sipas njoftimit të gjykatës, procesi gjyqësor do të zhvillohet në mungesë të të pandehurve, me propozim të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, pasi ata kanë qenë të paarritshëm deri në momentin e ngritjes së aktakuzës.

Gjykata u ka bërë thirrje 20 të akuzuarve që të paraqiten dhe të dorëzohen para organeve të ndjekjes të Republikës së Kosovës.

Po ashtu, ka kërkuar nga të gjithë personat që kanë informacione relevante për vendndodhjen e tyre, që t’i raportojnë ato në Policinë e Kosovës ose te organet e tjera kompetente.

Seanca fillestare është caktuar për 21 dhjetor, nga ora 09:30, ndërsa trupin gjykues do ta kryesojë gjyqtari Leon Përlaska.

Në mesin e të akuzuarve, përveç Radoiçiqit, janë Milovan Kovaçeviq, Radomir Çoliq, Milosh Doshan, Predrag Ristiq, Sërgjan Kërstiq, Ljubisha Obradoviq, Zhivko Sariq, Spaso Sariq, Lazar Drashkoviq, Zvonko Ristiq, Darko Gligorijeviq, Çedomir Bozhoviq, Vladimir Bozhoviq, Robert Dobruna, Radomir Rakoviq, Ljubisha Rakoviq, Milosh Shqepanoviq, Svetislav Gligorijeviq dhe Tomica Avramoviq.

Related Posts