Menu Close

Prokuroria dorëzon aktakuzë për ish-pjesëtarin e MPB-së serbe, i dyshuar për krime lufte në Kaçanik

Ndërtesa e Prokurorisë Speciale të Kosovës në Prishtinë.

Artikulli origjinal – Radio Evropa e Lirë

Autori origjinal: Radio Evropa e Lirë

Prokurorët e kanë dorëzuar të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë një aktakuzë kundër një ish-pjesëtari të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë (MPB), të cilin e akuzojnë për krime lufte kundër popullsisë civile shqiptare në jug të Kosovës gjatë luftës së viteve 1998-’99.

I dyshuari, i identifikuar me inicialet A.D., ishte arrestuar në fillim të këtij viti dhe prej atëherë është duke u mbajtur në paraburgim, duke nxitur kundërshtime nga Serbia.

Prokuroria Speciale e Kosovës tha të mërkurën se pret nga gjykata të konfirmojë aktakuzën ndaj tij.

Sipas aktakuzës, A.D. ishte pjesëtar i MPB-së serbe në Ferizaj dhe polic i trafikut në rajonin e Kaçanikut në kohën kur dyshohet se kishte kryer krimet në mars të vitit 1999 në fshatin Ivajë dhe fshatrat përreth të Kaçanikut.

Ai dyshohet se “në bashkëkryerje me persona të tjerë ende të paidentifikuar të forcave policore, ushtarake serbe, më 09.03.1999, gjatë një aksioni të organizuar policor ushtarak kundër popullsisë civile shqiptare, i detyroi banorët të largohen nga shtëpitë e tyre, të cilat më pas u dogjën dhe u shkatërruan”.

Prokuroria po ashtu e akuzon atë për rrahjen dhe torturimin “në mënyrë brutale, çnjerëzore, fizike dhe psikike” dhe shkaktimin e “lëndimeve të rënda trupore” të 13 civilëve gjatë marrjes në pyetje në stacionin policor në Kaçanik.

Këta civilë ishin në mesin e 91 meshkuj që forcat serbe i kishin ndarë prej rreth 400 burrave, grave, pleqve e fëmijëve të grumbulluar për t’u dërguar në stacionin policor në Kaçanik, sipas aktakuzës.

Arrestimi i tij në prill të këtij viti pati nxitur reagime nga Zyra për Kosovën në Qeverinë serbe, që tha se ai ishte polic në pension nga një fshat i Prizrenit, duke e cilësuar arrestimin e tij si të motivuar “politikisht”.

Së voni, autoritetet kosovare kanë arrestuar të dyshuar të shumtë dhe kanë ngritur një sërë aktakuzash për krime lufte në Kosovë.

Ndërsa në mars, gjykata në Prishtinë shqiptoi dënim me burgim ndaj dy ish-pjesëtarëve të forcave policore dhe ushtarake të Serbisë për krime lufte në Kosovë gjatë luftës së viteve 1998-‘99.

Ajo i dënoi më 18 mars Zoran Kostiqit me 15 vjet burgim, ndërsa Dragan Milloviqin me 7 vjet burgim.

Që nga përfundimi i luftës, dhjetëra të dyshuar janë dënuar për këto krime para institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.

Fillimisht pas luftës, përkatësisht nga viti 2000 dhe 2008, krimet e luftës në Kosovë u hetuan nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ndërsa nga viti 2008, nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX).

Më 2018, EULEX-i ia dorëzoi lëndët organeve vendore të drejtësisë.

Sipas Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, janë dokumentuar gjithsej 12.230 viktima të luftës së viteve 1998-’99.

Ndërsa, 1.577 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur nga kjo luftë.

Burimi: Radio Evropa e Lirë

© 2026 Radio Evropa e Lirë – RFE/RL, Inc. Përdorur me lejen e Radios Evropa e Lirë.

Related Posts