Artikulli origjinal – Radio Evropa e Lirë
Autori origjinal: Radio Evropa e Lirë
Zyra për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC) e Departamentit amerikan të Thesarit ia ka zgjatur deri më 30 tetor licencën e operimit Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS), kompani në pronësi shumicë ruse, e cila është nën sanksione amerikane.
Ministrja në detyrë e Minierave dhe Energjisë e Serbisë, Dubravka Gjedoviq Handanoviq, e cilësoi vendimin si lajm të mirë për vendin, veçanërisht para fillimit të sezonit dimëror, raportoi agjencia Beta.
“Situata mbetet shumë sfiduese, si për shkak të rrethanave gjeopolitike dhe rritjes së çmimeve të energjisë, ashtu edhe për shkak të vështirësive logjistike, nivelit të ulët të ujit në Danub dhe problemeve me importin e derivateve të naftës. Për këtë arsye, kemi nxjerrë në treg 5.000 tonë naftë nga rezervat shtetërore, krahas uljes së akcizave që po zbatojmë prej muajsh”, tha ajo, sipas një njoftimi të kabinetit të saj.
Gjedoviq Handanoviq shtoi se bisedimet mes OFAC-ut dhe kompanisë hungareze të naftës MOL për blerjen e NIS-it po vazhdojnë dhe do të kërkojnë edhe pak kohë.
“Ne e kemi përfunduar pjesën tonë të punës sa i përket marrëveshjes mes aksionarëve, në rast se MOL-i e blen NIS-in dhe SHBA-ja e miraton këtë. Deri atëherë, do të vazhdojmë të ndërmarrim gjithçka që nevojitet për të siguruar furnizimin e plotë të tregut, për t’i mbajtur çmimet nën kontroll dhe për të qenë të gatshëm të reagojmë ndaj çdo çrregullimi, siç kemi bërë deri më tani”, tha ajo.
NIS-i kishte paraqitur më 24 shtator një kërkesë të re në Departamentin amerikan të Thesarit për licencë që do t’i mundësonte vazhdimin e operimit. Licenca e mëparshme ishte e vlefshme deri më 30 shtator.
Administrata amerikane vendosi sanksione ndaj NIS-it në fillim të vitit 2025, me synimin që t’ia kufizonte Rusisë mundësinë e përdorimit të të ardhurave nga energjia për financimin e luftës në Ukrainë.
Kompania ka rol kyç në furnizimin e tregut serb me naftë dhe derivate. Aksionarët rusë zotërojnë 56,15 për qind të saj, përfshirë 44,85 për qind që i përkasin kompanisë shtetërore ruse Gazprom Neft.
Ligjvënës amerikanë kundër zgjatjes së licencave
Dy ligjvënës republikanë në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së, Joe Wilson dhe Keith Self, i kërkuan më 25 shtator administratës së presidentit Donald Trump të mos i zgjatë më licencat që i mundësojnë NIS-it të operojë pavarësisht sanksioneve.
Në një letër drejtuar sekretarit amerikan të Thesarit, Scott Bessent, ata kërkuan rishqyrtimin e dhënies së licencave të tjera të përkohshme, duke iu referuar pronësisë ruse të kompanisë.
Operimi i NIS-it është mundësuar përmes licencave të përkohshme të OFAC-ut, të cilat janë rinovuar periodikisht edhe gjatë negociatave për ndryshimin e pronësisë.
Blerja nga MOL-i ende në pritje
MOL-i dhe Gazprom Neft nënshkruan në mesin e janarit kushtet kryesore të një marrëveshjeje kornizë për shitjen e aksioneve në NIS. Në atë kohë u përmend edhe mundësia e përfshirjes së një kompanie nga Emiratet e Bashkuara Arabe si partnere me pjesëmarrje pakicë.
Më 28 gusht, Gjedoviq Handanoviq tha se negociatat mes MOL-it dhe kompanisë Gazprom Neft për shitblerjen e NIS-it ishin në fazën përfundimtare.
Ndërkohë, MOL-i dhe Qeveria e Serbisë nënshkruan më 16 qershor një marrëveshje mes aksionarëve për menaxhimin e ardhshëm të NIS-it.
Dokumenti përcakton strukturën dhe mënyrën e vendimmarrjes së organeve drejtuese, si dhe objektivat strategjikë të kompanisë.
Megjithatë, ai do të zbatohet vetëm nëse MOL-i dhe Gazprom Neft arrijnë marrëveshje për shitjen dhe OFAC-u e miraton atë.
Burimi: Radio Evropa e Lirë
© 2026 Radio Evropa e Lirë – RFE/RL, Inc. Përdorur me lejen e Radios Evropa e Lirë.