Hahn: Marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë ka kuptim nëse ekziston një perspektivë e BE-së

Eurokomisioneri, Johannes Hahn ka vlerësuar se perspektiva e hyrjes në Bashkimin Evropian ishte shtysa më e madhe për reformat dhe proceset në rajon.

Ai ka thënë se kur flitet për Serbinë ideja e një marrëveshje me Kosovën do të kishte kuptim vetëm nëse ekziston një perspektivë e pranimit në BE.

Komisioneri në largim, i ngarkuar me politikën e zgjerimit të BE-së, në fjalimin e tij të fundit para Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian përsëriti se ishte një gabim historik mosçelja e negociatave të BE-së me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, transmeton Klan Kosova.

Ai ka thënë se në Ballkanin Perëndimor të gjithë inkurajohen nga çdo hap pozitiv drejt eurointegrimit.

Hahn përmendi dialogun Beograd-Prishtinë si një shembull, duke thënë se të dy palët duan të “përparojnë dhe të vazhdojnë me rajonin”.

“Nga këndi i Serbisë, ideja e një marrëveshjeje me Kosovën do të ketë kuptim vetëm nëse ekziston një perspektivë e pranimit në BE”, tha Hahn.

.