Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një mesazhi të gjatë në platformën X, pas plagosjes së të riut nga Elbasani gjatë protestës së 24 tetorit në Tiranë, duke deklaruar se ka siguruar personalisht trajtimin e tij në një spital në Itali, si dhe transportin me avion charter mjekësor.
Rama e cilësoi pjesëmarrjen në protestat e dhunshme si të rrezikshme, jo vetëm për personat që kryejnë akte dhune, por edhe për ata që ndodhen pranë tyre. Ai akuzoi kundërshtarët politikë për nxitjen e dhunës dhe pretendoi se në protestë ka pasur persona të nxitur e të paguar për të marrë pjesë në përplasje.
“Pjesëmarrja në protestat e dhunshme është sigurisht e rrezikshme edhe për vetë dhunuesit dhe ata që rrinë rrotull tyre, aq më tepër kur dihet tanimë edhe botërisht që në këto protesta është edhe dora e një matufi maniak me një biografi të pasur me zjarrvënie e me gjakderdhje”, shkruan Rama.
Kryeministri u shpreh se i vjen keq për çdo person që pëson dëmtime fizike, përfshirë edhe protestuesit e dhunshëm. Megjithatë, ai ngriti pyetjen se si mund të shmangen lëndimet kur, sipas tij, dhuna bëhet pjesë e natyrës së një proteste.
“Më vjen shumë keq kur kushdoqoftë lëndohet fizikisht, qoftë edhe një protestues i dhunshëm, por si mund të shmanget çdo lëndim i mundshëm nëse dhuna e dikton natyrën e një proteste?!”, shprehet kreu i qeverisë.
Rama e cilësoi plagosjen e të riut nga Elbasani si një këmbanë alarmi, duke iu drejtuar veçanërisht atyre që ai i konsideron nxitës të dhunës.
“Kjo është një pyetje retorike dhe lëndimi i djalit nga Elbasani duhet të jetë një këmbanë alarmi për të gjithë, po mbi të gjitha për nxitësit e dhunës që propagandojnë nga ekranet e korruptuara televizive dhe nga pasqyrat e tyre sociale apo më zi akoma që paguajnë për mish për top lloj-lloj individësh, nga kriminelë, te djem të paditur e deri te fëmijë të mitur”, vijon Rama.
Më tej, kryeministri bëri të ditur se ishte marrë personalisht me sigurimin e trajtimit mjekësor të të riut në Itali, si dhe me organizimin e transportit të tij me një avion të posaçëm mjekësor.
“Pasi jam marrë personalisht që mbrëmë me sigurimin e kurimit të djalit në spitalin më të mirë të Italisë, si edhe të transportit me një avion charter mjekësor, u them të gjithë atyre që po e keqpërdorin si të tërbuar syrin e plagosur të tij për të nxitur më tej dhunën”, deklaroi Rama.
Në vijim, kreu i qeverisë përdori një gjuhë të ashpër ndaj kundërshtarëve, duke i akuzuar se janë përgjegjës për pasojat e dhunës dhe se po përpiqen ta shfrytëzojnë politikisht plagosjen e të riut.
“Ju jeni errësira që i mbylli atij djali dritën e syrit. Ju jeni gishtat dhe thonjtë e dorës së malkimit që e përndjek Shqipërinë qysh në 1912-ën, duke ia mbyllur sytë sa herë ky vend sheh dritë!”, vijon kryeministri.
Rama u shpreh se, pavarësisht akteve të dhunës, sipas tij, Shqipëria ndodhet në një pozicion më të fortë dhe se kundërshtarët nuk do të arrijnë qëllimet e tyre. Ai tha se dhuna dhe shkatërrimet po tregojnë, sipas tij, identitetin e atyre që qëndrojnë pas tyre.
“Po këtë herë jeni të humbur, sepse drita e Shqipërisë është sot ku e ku më e madhe se sa errësira dhe ju jeni gjithnjë e më pak, prandaj edhe po dhunoni, digjni e shkatërroni me urrejtjen e pangushëllueshme të asaj dore, por duke ua kujtuar më mirë se kurrë shqiptarëve se kush jeni”, shkruan Rama.
Në fund të mesazhit, kryeministri u shpreh se kundërshtarët politikë nuk do të gjejnë mbështetjen e qytetarëve, duke e mbyllur reagimin me paralajmërimin: “Dhe shqiptarët s’do t’ua falin. Prisni dhe shikoni”.
