Menu Close

Kush janë tre kandidatët e LDK-së, që mund t’ia marrin timonin Lumir Abdixhikut?

Me shumicë mbijetuese dhe thjesht-teknike dy herë brenda vitit Lumir Abdixhiku ia doli të mbajë veten si kryetar me këmbë të drunjta i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Regjistri i tij në krye të LDK-së është het-triku i humbjeve të zgjedhjeve.

Plus, tri herë në vendin e tretë.

Tani, pretendentë për drejtimin e partisë veçse kanë dalë hapur.

Zgjedhjet e brendshme, që priten në vjeshtën e vitit 2027, tashmë veçse janë kthyer në çështje të ditës.

Me Albin Kurtin që themeloi qeverinë mëvete, dhe me PDK-në që ka hapur garë të brendshe, sytë tashmë natyrshëm janë kthyer edhe nga LDK.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, dhe deputetja Hykmete Bajrami janë dy prej atyre që e kanë dhënë publikisht fjalën e tyre si synim për drejtimin e partisë.

Avdullah Hoti në anën tjetër ka propozuar, mes këtyre dy emrave, edhe Kujtim Shalën.

Në këtë konstelacion ‘konkurrentësh’ përmendet edhe ish-presidentja Vjosa Osmani, si partnerja kryesore politike e Lumir Abdixhikut për ta pasur, por ajo nuk ka shpallur kandidaturë.

Po ashtu, flitet edhe për emrin e Doarsa Kica-Xhelilit si pasuese e mundshme.

Ndërkohë, Abdixhiku vazhdon ta mbajë postin.

Përplasja, megjithëkëtë, nuk është thjesht për emër.

Partia historike e Ibrahim Rugovës nuk po arrin të ngrisë kokën nga vendi i tretë ku është plandosur që nga humbja e madhe e vitit 2021.

Dhe, është shndërruar në thesar të pashterrshëm eksploatimi zgjedhor nga Albin Kurti, i cili vazhdon të vjelë elektorat të LDK-së.

Në tri zgjedhjet e fundit parlamentare, LDK-ja mori rreth 18 për qind, pastaj 13 për qind dhe, në qershor 2026, afër 17 për qind.

Një rikuperim vetëkënaqës pas rënies së dhjetorit, por jo ndryshim renditjeje.

Për kundërshtarët e Abdixhikut, përsëritja e vendit të tretë kërkon përgjegjësi.

Për ithtarët e Abdixhikut, votat e delegatëve kanë vulosur vazhdimësinë e mandatit.

Më 31 janar 2026, Abdixhiku ua ofroi delegatëve dorëheqjen, të cilën pastaj e shndërroi thjesht në “votëbesim,” pasi LDK-ja kishte dalë sërish e treta në zgjedhjet e dhjetorit.

Në votim, 164 delegatë kundërshtuan largimin e tij, ndërsa 136 e mbështetën dorëheqjen.

Ai mbijetoi me rreth 55 për qind.

Më 30 korrik 2026, një tjetër kuvend i jashtëzakonshëm e provoi qëndrueshmërinë e tij.

Këtë herë 170 votuan kundër shkarkimit dhe 152 pro tij.

Me 19 vota ‘nafakë,’ Abdixhiku vazhdoi.

Dallimi prej 18 votash ia ruajti postin, por jo qetësinë politike.

Dy votimet treguan se pothuajse gjysma e delegatëve kërkonin ndryshim.

Vetë Abdixhiku, pas votimit të janarit, pretendonte bashkim.

“Në këtë mes nuk ka as humbës e as fitues”, deklaroi ai.

Edhe sekretari i partisë, Ilir Ferati, e mbrojti, duke vlerësuar punën e tij në terren dhe riorganizimin e LDK-së.

Një nga më të ashprit ishte Gazmend Muhaxheri, kryetari i Pejës, dikur përkrahësi më i madh i Abdixhikut dhe më pas kritiku kyç.

Në “Pressing” të T7, më 28 korrik, Muhaxheri pati treguar çfarë i kishte thënë kryetarit pas kuvendit të janarit.

“Nuk mundemi më me ty, rezultatin e ke të keq”, tha ai, duke e kthyer kritikën në kërkesë të hapur për largim.

“I kam thënë në katër sy, duhet me shku kryetar, duhet me shku edhe unë me ty”, shtoi Muhaxheri.

“Nëse ke ra në vendin e tretë duhesh me u përgatit me lëshu rrugë”, ishte përfundimi i tij.

Gazmend Muhaxheri, ,egjithatë, e përmendi kryetarin e Prishtinës, Përparim Ramën, mes atyre që mund ta merrnin drejtimin.

“I plotëson ato kriteret kur e kemi zgjedhë në 2021-ën Abdixhikun”, tha ai, pasi kishte përmendur figurën e re, “të dijshme e të pashme.”

Vendimin, megjithatë, ia la kuvendit të delegatëve, por duke lënë sinjal mbështetjeje për Ramën.

Më 7 shtator, në “Rubikon” të Klan Kosovës, Hykmete Bajrami paralajmëroi se do të hynte në garë në kushte të caktuara./nacionale.com

Related Posts