Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është duke dyshuar se Gjykata po ndërton raste kundër vëllezërve Haradinaj me deklarata të Rexhep Selimit.
Sulmet e shpeshtuara të njerëzve të AAK-së, veçanërisht të Shkumbin Demaliajt, ndaj deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, nuk janë aspak të rastësishme.
Por, nuk është vetëm Demaliaj që është duke e goditur pandalshëm tani.
Lajmi.net nga burime brenda AAK-së ka mësuar se ata po besojnë që ftesa e Gjykatës Speciale për kryeministrin në detyrë, Ramush Haradinaj, bazuar edhe në pyetjet me të cilat është ballafaquar Haradinaj në Hagë, ka qenë rezultat i deklaratave që ka mundur t’i japë vetëm Rexhep Selimi në vitet e pasluftës, kur ishin prishur fillimisht mes veti.
Madje, edhe vetë kryeministri Haradinaj në një takim të mbajtur para disa javësh me përgjegjësit e institucioneve të sigurisë në vend, konkretisht me shefin e AKI-së, Shpend Maxhunin, me Drejtorin e Policisë, Rashit Qalajn, komandantin e FSK-së, Rrahman Ramën, si dhe disa persona të tjerë, mësohet se e ka përmendur emrin e Rexhep Selimit, duke thënë se ftesën prej Gjykatës Speciale e ka dhuratë prej tij.
Ftesa e Gjykatës Speciale është produkt i deklaratave të Rexhep Selimit, mësohet t’u ketë thënë Haradinaj atyre.
Replika të ashpra mes Haradinajt dhe Selimit kishte pasur edhe me herët në Kuvendin e Kosovës.
“Ka diçka shumë interesant që dua t’ua them, Rexha është shumë i mençur. Prej që ia ka nis lëvizjes për liri, është aktiv, por therrë nuk i ka hy, njëmend nuk i ka hy therë Rexhep Selimit, ka shpëtuar vetë, edhe pas luftës ka shpëtuar mirë, nuk e ka bërë asnjë ditë burg, asnjë problem nuk i ka ndodhë”, ia kishte thënë në sy Haradinaj – Selimit.
Fushata e ashpër e zyrtarëve të AAK-së kundër Rexhep Selimit tani mësohet se ndërlidhet kryesisht me dyshimet se Selimi kishte dhënë deklarata të vazhdueshme kundër vëllezërve Haradinaj për kohën e luftës dhe pas saj tek një shërbim sekret i huaj, i njohur për redaksinë, me zyrtarë të të cilit thuhet se ka qenë gjithmonë më i afërt Rexhep Selimi.
Këto deklarata të Selimit përmes këtij shërbimi të huaj, sipas burimeve brenda AAK-së, thuhet se më vonë ishin deponuar në UNMIK dhe EULEX, kurse tash ato janë bartur edhe në Gjykatën Speciale dhe po përdorën nga ana e prokurorëve si dëshmi lufte për të ndërtuar raste vëllezërve Haradinaj, shkruan Lajmi.net.