Hardhuca gjigante, kobra dhe pitonë. Mirë se vini në xhungël! Valteri Botas ka rrëfyer aventurën e tij të pazakontë me biçikletë nga Malajzia drejt Singaporit, një udhëtim prej 420 kilometrash, të mbushur me emocione dhe të papritura. “Pashë disa gjarpërinj, gjë që më shqetësoi pak, por në të vërtetë ata ishin mjaft të qetë”, tregoi piloti finlandez.
“Pashë edhe një kobër dhe një piton që kaloi shtegun pikërisht përpara meje. Gjithashtu, pashë disa nga ato hardhuca të mëdha që mund të shihen edhe këtu. Njëra ishte në mes të shtegut dhe m’u desh ta kaloja me biçikletë duke kërcyer mbi të. E pashë vetëm në momentin e fundit”, rrëfeu Botas. Me përshkrimet e tij plot humor dhe emocion, piloti i skuadrës Kadillak në F1 e shndërroi këtë udhëtim në një histori të vërtetë aventure, të përjetuar gjatë tri netëve në mes të pyllit tropikal.
NJË AVENTURË ME DY RROTA
Piloti i Formulës 1 e dokumentoi udhëtimin me stilin e tij karakteristik, duke treguar edhe për takimet e tjera të papritura gjatë rrugës. “Një qen më ndoqi. Në një shteg të ngushtë mbeta i bllokuar pas një tufe lopësh, por në fund ato u larguan”, tregoi 37-vjeçari. Për Botasin, biçikleta përfaqëson lirinë dhe mundësinë për të zbuluar vende e përjetime që ndryshe do t’i humbiste. Por cila ishte pjesa më e çmendur e udhëtimit? Pa dyshim, pedalimi natën në xhungël.

“Zhurmat brenda saj janë të pabesueshme. Mendja nis të imagjinojë se çfarë mund të ketë përreth dhe çfarë fshihet në errësirë”, shpjegoi ai. Pikërisht ky kombinim i errësirës, tingujve të natyrës dhe të panjohurës e bëri udhëtimin edhe më të veçantë. “Pedalimi natën, me dritat e ndezura, ishte ndoshta pjesa më epike e gjithë aventurë në pyll”, shtoi Bottas.
TIGRAT DHE DERRAT E EGËR
Sipas faqes “The Race”, pedalimi gjatë natës i shërbeu pilotit edhe për t’u përshtatur me diferencën kohore përpara garës në Singapor, si dhe për të shmangur temperaturat e larta gjatë ditës. “Kur je në natyrë, të paktën e di se nuk ka asgjë që do të të ndjekë për të të gjuajtur”, tha Botas me humor. Megjithatë, në Malajzi jetojnë edhe tigra, ndonëse zonat ku ata gjenden më shpesh janë kryesisht më në veri të itinerarit të tij.
Një tjetër rrezik i mundshëm ishin derrat e egër, të cilët mund të arrijnë deri në dy metra gjatësi dhe të peshojnë rreth 200 kilogramë. Pavarësisht këtyre rreziqeve, Botas nuk e fshehu dëshirën për ta përsëritur një përvojë të tillë.
“Pa biçikletën time, nuk do t’i shihja kurrë këto gjëra. Prandaj, nëse në të ardhmen do të kishte një mundësi të përshtatshme që të më lejonte të rikuperohesha për garat, sigurisht që do ta bëja përsëri”, përfundoi piloti finlandez. Për ironi, ndonëse aventura me biçikletë i dhuroi emocione të shumta, Botas nuk arriti ta përfundonte garën e Çmimit të Madh të Singaporit.
PANORAMASPORT.AL
