Ish-diplomati i lartë amerikan, Daniel Fried, ka deklaruar se një aleancë midis Serbisë dhe Rusisë nuk do të ishte e dobishme për popullin serb.
“Unë nuk e di se si do të ishte e dobishme ideja që Serbia të bëhej shtojcë ruse ose të ishte nën kontrollin e Rusisë ose pjesë e sistemit të Putinit”, tha Fried për Zërin e Amerikës në gjuhën serbe.
Sipas tij, çështja themelore është që Serbia të realizojë të ardhmen e saj evropiane.
“Unë nuk po flas që Serbia të bëhet aleate e Shteteve të Bashkuara, mbase kujtimet e luftës së Kosovës janë shumë të freskëta për këtë. Nëse Serbia nuk dëshiron të blejë pajisje ushtarake amerikane, pse të mos blejë nga Franca pasi marrëdhëniet me atë vend janë në rregull?”, deklaroi Fried.
Rusia dorëzoi dhjetë automjete të blinduara në Serbi në fund të korrikut, të cilat presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, pretendon se i ka marrë si dhuratë.
Daniel Fried thekson se pajisjet ushtarake ruse, sado të vjetruara, mund të prishin ekuilibrin në një rajon tashmë të paqëndrueshëm.
“Brenda ish-Jugosllavisë, Kosova, Republika Serbe dhe Bosnje e Hercegovina, nuk janë zona të qëndrueshme. Problemi është se Serbia është akoma të interesuar për t’u bërë një lloj ure midis Rusisë dhe Perëndimit ose një lloj vendi neutral, dhe unë thjesht nuk e shoh se si mund të jetë kjo në interes të dikujt”, tha eksperti amerikan.