Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, sot është lajmëruar përmes një shkrese zyrtare, ku i është drejtuar bartësëve të koalicionit fitues të zgjedhjeve të fundit, koalicionit PAN.
Përmes kësaj letre Thaçi i është drejtuar Kadri Veselit si koalicion fitues që kanë fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë. Ai ka kërkuar që Veseli të propozojë një mandatar të ri për kryeministër pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt.
Por një gjë të tillë vazhdojnë ta kundërshtojnë hapur partitë në vend.
Deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Muharrem Nitaj në një prononcim për Ballkani.info tha se presidenti në mënyrë formale po shfrytëzon procedurat e tij kushtetuese.
Sipas Nitajt AAK-ja nuk do të mbështetë asnjë formulë tjetër të krijimt të qeverisë pa zgjedhje të reja.
“Presidenti, me gjasë edhe formalisht, po don t’i shfrytëzojë procedurat kushtetuese. Unë jam i bindur që Presidenti nuk ka pasur nevojë ta bëj një gjë të tillë, sepse gjërat janë bukur të qarta dhe shumica absolute janë deklaruar për zgjedhje. Sidoqoftë, kjo është e drejtë kushtetuese e tij, dhe edhe në këtë lajm ka diçka pozitive, sepse prej sot fillojnë afatet kushtetuese të zgjidhjes së krizës politike, pas dorëheqjes së kryeministrit. Ajo që di unë është se Aleanca, nuk do ta mbështetë asnjë formulë të krijimit të një qeverie pa zgjedhje të reja!”, ka folur Nitaj për Ballkani.info.
Edhe Nisma e Fatmir Limajt e ka kundërshtuar idenë që të zgjidhet një mandatar i ri pas dorëheqjes së Haradinajt, duke kërkuar zgjedhje sa më shpejt.