Donika Gërvalla ka munguar në mbledhjen e Qeverisë ku u themelua Grupi Punues për bashkërendimin e mbështetjes për ish-krerët e UÇK-së në procesin e apelit. Ministrja e Drejtësisë, e cila më herët kishte deklaruar se “nuk ka nevojë për bertima” lidhur me rastin e tyre, nuk mori pjesë as në miratimin e ndryshimeve të Ligjit për Specialen, ndërsa mungesa e reagimit të saj pas dënimit të katërshes së UÇK-së kishte nxitur kritika të shumta.
Ministrja e Drejtësisë, e cila mori këtë pozitë vetëm pak ditë para se ish-krerët e UÇK-së të dënoheshin me gjithsej 81 vjet burgim, nuk ishte e pranishme as në mbledhjen e sotme të Qeverisë.
Në këtë mbledhje, siç bëri të ditur kryeministri Albin Kurti në fjalën hyrëse, u mor një vendim i rëndësishëm lidhur me rastin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, përmes themelimit të një Grupi Punues që do të merret me çështjen në fazën e apelit.
“Aktgjykimi i shkallës së parë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës konsiderojë se është i padrejtë juridikisht dhe moralisht, e me pasaktësi faktike e historike, prandaj duhet të korrigjohet në shkallën e apelit. Siç kemi theksuar edhe më parë, për këtë nevojitet një strategji shtetërore e kombëtare, një organizim që i tejkalon dallimet partiake dhe bashkon institucionet rreth një qëllimi të përbashkët.
Për këtë arsye, sot po themelojmë Grupin Punues, të kryesuar nga Zëvendëskryeministri i Parë, Glauk Konjufca, me përfaqësim institucional dhe parlamentar, për të bashkërenduar mbështetjen juridike, institucionale dhe diplomatike në funksion të procedurave të apelit. Me këtë vendim po e konkretizojmë zotimin tonë që, me mjetet që kemi në dispozicion, të angazhohemi për drejtësi dhe për mbrojtjen e së vërtetës historike të luftës sonë çlirimtare”, deklaroi Kurti.
Megjithatë, Gërvalla nuk mori pjesë në këtë mbledhje, ashtu siç kishte munguar edhe gjatë miratimit të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Asnjë fjalë për çlirimtarët
Pas vendimit të 16 shtatorit, Gërvalla ishte përballur me kritika të shumta për mungesën e reagimit të saj lidhur me dënimin e katër ish-krerëve të UÇK-së.
E pyetur për këtë çështje, ministrja e Drejtësisë në Qeverinë Kurti kishte deklaruar se nuk ka nevojë për bertima, duke theksuar se fokusi duhet të jetë te përgatitja për betejën ligjore dhe jo te deklaratat publike.
“Unë nuk kam heshtur, jam ministre e Drejtësisë, kryeministri ka dhënë një deklaratë. Unë bashkë me ekipin i jam futur punës të përgatitemi për një betejë, sepse është betejë ligjore, jo e deklaratave në media. Duhet të jemi profesionistë, të mençur, me kohë të ftoftë, pa shumë bertima, të përgatitemi për instancën e ardhshme.
Është e drejtë e secilit qytetarë të kërkojë dorëheqjen e secilit ministër, më në fund jetojmë në një shtet demokratik. Prandaj, nuk e komentoj kërkesat për dorëheqja, nuk është e imja as t’i imponoj dikujt dorëheqjen, as t’ia ndaloj fjalën askujt”, kishte thënë ajo, transmeton Nacionale.
