Qeveria e Kosovës ka themeluar grupin punues të kryesuar nga zëvendëskryeministri, Glauk Konjufca për rastin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në apel.
Vendimi është marrë në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës dhe është miratuar me shumicë votash.
Kryeministri Albin Kurti tha se në grup punues do të ketë përfaqësim institucional dhe paralementar për ta bashkërenduar mbështetjen ndaj çlirimtarëve.
“Aktgjykimi i shkallës së parë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës konsiderojë se është i padrejtë juridikisht dhe moralisht, e me pasaktësi faktike e historike, prandaj duhet të korrigjohet në shkallën e apelit. Siç kemi theksuar edhe më parë, për këtë nevojitet një strategji shtetërore e kombëtare, një organizim që i tejkalon dallimet partiake dhe bashkon institucionet rreth një qëllimi të përbashkët.
Për këtë arsye, sot po themelojmë Grupin Punues, të kryesuar nga Zëvendëskryeministri i Parë, Glauk Konjufca, me përfaqësim institucional dhe parlamentar, për të bashkërenduar mbështetjen juridike, institucionale dhe diplomatike në funksion të procedurave të apelit. Me këtë vendim po e konkretizojmë zotimin tonë që, me mjetet që kemi në dispozicion, të angazhohemi për drejtësi dhe për mbrojtjen e së vërtetës historike të luftës sonë çlirimtare”, tha ai.
