Kosova me tri medalje në Kampionatin Ballkanik

Kosova ka marrë tri medalje, një të artë dhe dy të bronzta në Kampionatin Ballkanik në beach volley të grupmoshës U20.

Kombëtarja e femrave Dhurata Sylejmani-Valmira Ramadani, kanë marrë medaljen e artë në këtë kampionat, ndërsa te femrat, të bronztën e mori dyshja Rinesa Hasani/Julinda Idrizi.

Për herë të parë, medalje në kampionat ballkanik në beach volley, morën edhe dyshja e djemve Art Tërstena-Arlind Basha. Për tri ditë gara, në Kampionatin Ballkanik të beach volley, që u mbajt në Prishtinë, për titullin e më të mirit luftuan çiftet nga Shqipëria, Maqedonia, Bosnjë e Hercegovina, Kosova dhe Rumania.

Ekipi përfaqësues i Kosovës në beach volley në konkurrencën e femrave, Dhuratë Sylejmani, Valmira Ramadani ka arritur të fitojë medaljen e artë në Kampionatin Ballkanik të beach volleyit i cili për tri ditë me radhë është mbajtur në Prishtinë.

Dyshja kosovare arriti të fitoj në finale ndaj ekipit kombëtar të Rumanisë, Hododi dhe Corcoz me rezultat të pastër 2:0 në sete. Dyshja Sylejmani/Ramadani po vazhdojnë formën e mirë që patën edhe në paraqitjet e tyre javë më parë në Kampionatin Evropian.

Medaljen e bronztë ka arritur ta fitojë edhe ekipi i dytë i Kosovës në konkurrencën e femrave Julinda Idrizi-Rinesa Hasani, pasi që në ndeshjen për vend të tretë mposhtën ekipin e parë të BeH.

Idrizi-Hasani arritën që me shifra të pastra të shënonin fitore ndaj dyshes boshnjake, për të shtuar suksesin e ekipeve të Kosovës në këtë garë.

Ajo që ra në sy, ishte suksesi i konkurrencës së meshkujve, që më herët kishte munguar. rDy volejbollistët që shënuan fitore edhe në Kampionatin Evropian U22, Art Tërstena e Arlind Basha, kanë arritur që të këtë garë të marrin medaljen e bronztë, pasi në duel për vendin e tretë mposhtën ekipin e parë të Shqipërisë, 2 me 1.

Dyshja Tërstena-Basha fazën e grupeve e mbylli pa humbje, madje duke u konsideruar favorit për pjesën tjetër. Por humbja befasuese në gjysmëfinale ndaj çiftit rumun, ua pamundësoi kalimin në aktin final, por megjithatë ata e arritën të bronztën.

Në konkurrencën e meshkujve vendin e parë ka arritur ta fitoj dyshja nga Rumania Grigore Andrei-Cristan Andre , pasi që në finale ka fituar ndaj ekipit të dytë të Shqipërisë Gesti Kapedani/Muharrem deliu, me rezultat 2:0 në sete.

Pas kampionatit të grupmoshës U20, të mërkurën fillon kampionati ballkanik U22 në të dyja konkurrencat, duke qenë gara e fundit ndërkombëtare për këtë vit, që organizohet nga Federata e Volejbollit e Kosovës në beach volley.