Ambasada amerikane mbështet sistemin prokurorial të Kosovës
Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Blerim Isufaj, ka pritur në takim Tracy Whittington, Drejtoreshë e Programit për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatim të Ligjit në Ambasaden amerikane në Kosovë.
“Gjatë këtij takimi është diskutuar për bashkëpunimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës me Ambasadën amerikane dhe për menaxhimin e donacioneve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës që ka ndarë për sistemin prokurorial të Kosovës”, thuhet në komunikatën e Këshillit Prokurorial të Kosovës.
Kryesuesi Isufaj me këtë rast ka falënderuar Ambasadën amerikane dhe përmes saj popullin amerikan për mbështetjen e vazhdueshme që po japin për sistemin prokurorial të Kosovës.
Në anën tjetër, drejtoresha Whittington, duke vlerësuar bashkëpunimin e deritashëm me KPK-në, ka diskutuar donacionet e mundshme në të ardhmen për sistemin prokurorial të Kosovës.
Gjatë këtij takimi, të dy bashkëbiseduesit kanë shprehur vullnetin dhe gatishmërinë e thellimit të bashkëpunimit në mes të KPK-së dhe Ambasadës amerikane në Kosovë.
Siç dihet, donacioni i fundit i ndarë nga SHBA-të për sistemin prokurorial të Kosovës, ishte me pajisje si: video konferenca, arkiv, dublikues DVD dhe pajisje përkthimi.