Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) e ka vlerësuar të ngutshëm shkarkimin e Blerim Isufajt nga pozita e kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, duke paralajmëruar se vendimi mund të ndryshohet nga Gjykata Administrative ose Gjykata Supreme.
Drejtori i IKD-së, Ehat Miftaraj, ka ngritur shqetësime edhe për perceptimin e ndikimit politik në vendimmarrjen e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), duke rikujtuar kundërshtimet e vazhdueshme të kryeministrit Albin Kurti dhe të Lëvizjes Vetëvendosje ndaj Isufajt.
Sipas Miftarajt, reagimet e përsëritura të kryeministrit dhe partisë në pushtet kundër Isufajt janë rrethana që KPK-ja është dashur t’i merrte parasysh, në mënyrë që vendimi të mos krijonte dyshime për koordinim mes institucionit përgjegjës për sistemin prokurorial dhe pushtetit politik.
“Vetë fakti që kryeministri Kurti, LVV-ja, partia në pushtet, në vazhdimësi kanë shprehur reagime, ku nuk janë pajtuar që i njëjti të jetë kryeprokuror i shtetit apo të jetë në Prokurorinë Speciale, ne kemi thënë dhe vazhdojmë të themi se KPK-ja duhet t’i kishte parasysh, sepse vendimmarrja po ndërlidhet me këto dhe po perceptohet sikur kemi një koordinim mes KPK-së me partinë në pushtet”, ka deklaruar Miftaraj për RTV Dukagjinin.
