Atletico Madridi edhe zyrtarisht e ka blerë talentin e madh portugez, Joao Felix, nga Benfica, për një shumë rekord për klubin, 120 milionë euro.
Atletico dhe Benfica kishin arritur marrëveshje për 19-vjeçarin para disa ditëve, por transferimi i tij te gjiganti i La Ligës u bë zyrtar vetëm tani.
Felix ka nënshkruar kontratë shtatëvjeçare me Atleticon.
Klubi portugez Benfica ka shkruar në uebsajtin e vet: “Benfica dhe Atletico Madridi kanë arritur marrëveshje për transferimin e Joao Felix”.
Felix bëhet blerja më e shtrenjtë në histori të Atleticos dhe lojtari i katërt më i shtrenjtë në botë pas Neymarit, Kylian Mbappes dhe Philippe Coutinhos.
Në garë për të, gjiganti spanjoll i mposhti disa klube evropiane, përfshirë Manchester City.