Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama njofton se i ka dorëzuar prokurën avokatit gjerman, për nisjen e procesit gjyqësor ndaj gazetës ‘Bild’.
Sipas Ramës, do të jenë gjykatat e Gjermanisë që do të vendosin mbi përplasjen për audio-përgjimet e publikuara nga kjo gazetë dhe që i përkasin dosjeve 339 dhe 184 të Prokurorisë Shqiptare.
“Sapo i kam dhënë prokurën avokatit gjerman Matthias Prinz, për nisjen e procesit gjyqësor mbi publikimet e BILD! Gjykatat gjermane le ta vendosin kush ka të drejtë e kush ka faj në këtë mes. E bëj sepse shqiptarët meritojnë ta dinë të vërtetën nga drejtësia e atij vendi pa hije”, shkruan Rama.
Gazeta më e madhe në Evropë ka publikuar një seri audio-përgjimesh të siguruara nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe ku rezultojnë se janë regjistruar bisedat e zyrtarëve më të lartë të Partisë Socialiste, përfshirë kryeministrin Rama. Shpesh herë këtë zyrtarë janë regjistruar duke biseduar për zgjedhjet dhe për vota me personazhe të botës së krimit në Shqipëri.