Operacion i rrallë në Klinikën Torakale: 23 vjeçarit i hiqet tumori 3.5 kilogramësh

Një tumor gjigant, me peshë 3.5 kilogramë dhe përmasa rreth 27 centimetra në gjatësi e 17 centimetra në gjerësi, është hequr me sukses nga kaviteti torakal i një pacienti 23-vjeçar në Klinikën e Kirurgjisë Torakale të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Sipas njoftimit të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK), bëhet fjalë për një intervenim të rrallë dhe jashtëzakonisht kompleks, i cili paraqiste sfidë të veçantë për ekipin kirurgjik për shkak të përmasave të tumorit, lokalizimit të tij dhe kompleksitetit të ndërhyrjes në kavitetin torakal.

Operacioni është realizuar nga ekipi i specializuar i Klinikës së Kirurgjisë Torakale, nën udhëheqjen e drejtorit të klinikës, Dr. Nazmi Kolgeci.

Ndërhyrja është kryer në bashkëpunim me ekipin e anestezionit, të udhëhequr nga anesteziologu Dr. Qendrim Morina, ndërsa në operacion kanë marrë pjesë edhe instrumentarë dhe infermierë.

SHSKUK e ka cilësuar këtë rast si një dëshmi të kapaciteteve profesionale dhe bashkëpunimit multidisiplinar në trajtimin e rasteve komplekse kirurgjikale.

“Ky sukses i radhës dëshmon edhe një herë përkushtimin e lartë, profesionalizmin dhe bashkëpunimin e shkëlqyer multidisiplinar të stafit të QKUK-së në trajtimin e suksesshëm të rasteve më të rënda dhe më komplekse kirurgjikale”, thuhet në njoftimin e SHSKUK-së \.

Nga SHSKUK kanë theksuar se “puna ekipore, profesionalizmi dhe përkushtimi maksimal ndaj pacientit mbeten themeli i çdo suksesi” në institucionet shëndetësore.

Ndërhyrja është përfunduar me sukses, ndërsa njoftimi nuk jep detaje të mëtejshme për gjendjen shëndetësore të pacientit pas operacionit.