Trumpi kërcënon se do të bombardojë Omanin nëse “i pengon” për shkak të çështjes së Iranit

Presidenti amerikan Donald Trump ka kërcënuar të bombardojë Omanin – një aleat të SHBA-së – nëse ai “pengon” bisedimet e administratës së tij me Iranin, raporton Fox News.

Një gazetar i rrjetit tha se presidenti amerikan e bëri komentin gjatë një telefonate të hënën, gjatë së cilës ai tha gjithashtu se SHBA-të kishin një kanal të drejtpërdrejtë me Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC).

IRGC më vonë mohoi se ishte e përfshirë në bisedime me SHBA-në. Por zyrtarët iranianë thanë të hënën se ishin afër finalizimit të një marrëveshjeje me Omanin për transportin detar përmes Ngushticës së Hormuzit.

Ndërkohë, Memorandumi i Mirëkuptimit (MM) 60-ditor përfundon të hënën. Memorandumi ishte një angazhim i nënshkruar nga SHBA-të dhe Irani për bisedime të mëtejshme për të arritur një marrëveshje përfundimtare, raporton BBC, \.

Omani, i cili thotë se është një vend neutral në këtë konflikt, ka pësuar një numër sulmesh nga Irani që kur shpërtheu konflikti. Megjithatë, tani po luan një rol në negociatat me Iranin për të rihapur ngushticën.

Që kur SHBA-ja dhe Izraeli sulmuan Iranin në shkurt, Teherani e ka bllokuar kryesisht këtë rrugë ujore jetësore – përmes së cilës zakonisht kalon rreth një e pesta e naftës dhe gazit natyror të lëngshëm në botë. Rihapja e saj ka qenë një pikë kyçe diskutimi.

Uashingtoni ka ndjekur përpjekjet e veta për të siguruar rihapjen. Reporteri i Fox, Trey Yingst, citoi Trumpin të thoshte: “Nëse Omani na pengon, do ta bombardojmë deri në fund.”