Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka cilësuar si të mirëseardhur hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër dhe kalimin e përgjegjësive te Policia e Kosovës.
Përmes një postimi në Facebook, Osmani ka thënë se këto zhvillime ndihmojnë në integrimin e plotë të çdo pjese të territorit të Kosovës.
“Për më shumë se 27 vjet, ndarja e Mitrovicës, përveçse krijoi pasiguri dhe probleme në sundimin e ligjit, mundësoi spastrimin etnik të shqiptarëve dhe uzurpimin e pronave të tyre, e njëkohësisht i dha Serbisë alibi për të vazhduar me ëndrrat e saj hegjemoniste për ndarjen e Kosovës. Prandaj, qarkullimi i lirshëm mbi urën kryesore të lumit Ibër, përveçse bashkon njerëz, mbi të gjitha është një hap historik drejt luftimit të tendencave të Serbisë për gllabërim territoresh. Përkundër vonesave të mëdha, ky hap do të ndihmojë në rritjen e nivelit të sigurisë dhe paqes së qëndrueshme në vendin tonë”, shkroi Osmani.
Ajo ka vlerësuar se, pavarësisht vonesave, hapja e urës do të kontribuojë në rritjen e sigurisë dhe paqes së qëndrueshme në vend.
“Mirënjohje për të gjitha institucionet e angazhuara ndër vite për të arritur deri këtu, e në veçanti për Policinë e Kosovës, e cila vazhdon të mbajë barrën kryesore për sigurinë në çdo pëllëmbë të territorit tonë dhe për çdo qytetar të vendit tonë”, tha Osmani./







