Plani rus 2026: Cak i Putinit përçarja e NATO-s dhe BE-së (VIDEO)

Vladimir Putin, nuk ka hequr dorë nga një operacion-plan  për destabilizim në Evropë, me synim që sivjet të dobësoj Aleancën Veri-Atlantike, NATO dhe Bashkimin Evropian, nga brenda.

Terren për të jetësuar këtë ide të Rusisë, sipas gazetës amerikane The New York Times, Moska e ka në mendje  Moldavinë.

Burime nga shërbimet perëndimore të inteligjencës bëjnë të ditur se regjimi rus “qëllimin” për ta vënë në funksion këtë plan më 2026, e ka bërë me dije qysh në fund të vitit 2025, gjatë një takimi që kishte presidenti i Rusisë me drejtuesit ushtarakë.

Sipas raportimit, hierarkia aktuale e prioriteteve të Kremlinit përmban dy objektiva kryesorë: pushtimin e një pjese të  Ukrainës dhe vendosjen e kontrollit mbi Moldavinë.

Moska synon të marrë nën kontroll jugun e Ukrainës për të krijuar një “urë tokësore” që do lidhte Rusinë direkt me Moldavinë,  për të siguruar një pikëmbështetje nga e cila mund të ushtrojë presion mbi NATO-n.

Për arritjen e këtij qëllimi Kremlini, u përpoq, edhe me ndërhyrje flagrante në zgjedhjet parlamentare të Moldavisë, të mbajtura më 28 shtator 2025, duke përdorur sulme kibernetike, dezinformim, blerje votash e fushatë propagandistike.

Rusia pagoi Priftërinj ortodoks moldavë, me nga 1000 dollarë, për ti bindur besimtarët të votonin kundër referendumit kushtetues  për anëtarësim në BE, MË 2024 e të flisnin kundër politikave pro-perëndimore të vendit.

Ndërkohë u shpalosën edhe më  detaje se si në Serbi e Bosnje ,e në periferi të Moskës, po vitin e kaluar,u bënë kampe trajnimi me pjesëmarrës shumica prej tyre qytetarë moldavë.

Aty mësuan të përdornin pushkë, të thyenin kordonet e policisë dhe t’u vinin flakën ndërtesave.

Ata u paguan me 400 dollarë për një kurs tre deri në katër ditë. Instruktorët ishin operativë të lidhur me inteligjencën ushtarake ruse – GRU – . Rusia ka mohuar krejt këto raportime.

Në Moldavi, pushtetin e mban presidentja Maia Sandu, me partinë e saj pro-evropiane, që në zgjedhjet e kaluara fitoi mbi 50% të votave përkundër krejt fushatës së egër të Rusisë.