Zyrtarët e Doganës së Kosovës kanë zbuluar 63 mijë e 400 euro të padeklaruara gjatë kontrollit të një autobusi në pikën kufitare në Merdare.
Siç njoftoi Dogana në Facebook, autobusi po qarkullonte në relacionin Gjermani-Kosovë, ndërsa paratë ishin fshehur në bagazhin personal të drejtuesit të autobusit.
Mjetet monetare janë ndaluar, ndërsa rasti është iniciuar për trajtim të mëtejmë në përputhje me legjislacionin në fuqi.
“Dogana e Kosovës rikujton të gjithë udhëtarët se bartja e mjeteve monetare përtej kufirit duhet të deklarohet në përputhje me kërkesat ligjore. Kontrollet e shtuara do të vazhdojnë me qëllim të parandalimit dhe luftimit të bartjes së paligjshme të parave dhe formave të tjera të kriminalitetit ndërkufitar”, thuhet në njoftim./









