Pezullohen zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare

Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar se ka pezulluar nga detyra zyrtarët ndaj të cilëve Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Sipas Ministrisë, rasti lidhet me periudhën 2017-2019 dhe me një kontratë për mirëmbajtjen e urave në rrugët nacionale dhe regjionale.

Në bazë të aktakuzës, aktiviteti i prokurimit ishte iniciuar me një vlerë të parashikuar prej 500 mijë eurosh, ndërsa pagesat e realizuara kanë arritur në mbi 5 milionë euro.

“Këto janë para të qytetarëve dhe përgjegjësi publike, andaj presim që drejtësia ta thotë sa më shpejt verdiktin përfundimtar dhe të mbajë përgjegjës secilin që ka abuzuar me mjetet e taksapaguesve. Askush nuk mund të jetë mbi ligjin dhe buxheti i nuk mund të trajtohet ndryshe përpos sipas procedurave dhe rregullave të parapara. Për çfardo informacioni, organet e drejtësisë do ta kenë bashkëpunimin tonë të plotë”, thotë Ministria./