(Radio Evropa e Lirë) Predikuesi islamik nga Bosnje e Hercegovina, Elvedin Peziq, është dëbuar nga Kosova më 14 gusht, pasi një ditë më parë ishte shoqëruar nga Policia para promovimit të një libri në Vitomiricë të Pejës, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë një burim i informuar për organizimin dhe qëndrimin e tij në Kosovë.
Pas Vitomiricës, Peziq ishte planifikuar të mbante ligjërata edhe në rajonin e komunës së Istogut dhe në Prizren.
I njëjti burim tha se Peziq është përcjellë nga Kosova përmes pikëkalimit kufitar me Malin e Zi.
Radio Evropa e Lirë ka tentuar disa herë të marrë informacion nga Policia e Kosovës për arsyen e dëbimit të Peziqit nga Kosova, por pa sukses.
Sipas ligjeve në Kosovë, një shtetas i huaj mund të dëbohet nga vendi nëse paraqet rrezik për rendin publik, sigurinë shtetërore apo shëndetin publik.
Kush është Elvedin Peziq?
Peziq është një predikues islamik nga Bosnje e Hercegovina, i cili prej vitesh është aktiv në internet dhe njihet për qëndrime konservatore dhe si një nga predikuesit që identifikohen me selefizmin.
Ai ka më shumë se 300 mijë ndjekës në Facebook dhe është aktiv edhe në platforma të tjera, ku publikon ligjërata, këshilla fetare dhe komente për çështje shoqërore.
Qëndrimet e tij janë kritikuar në të kaluarën në Bosnje e Hercegovinë. Bashkësia Islame e Bosnjë e Hercegovinës kishte reaguar ndaj një deklarate të Peziqit për rolin e gruas në shoqërinë perëndimore, duke vlerësuar se qëndrime të tilla nuk janë në përputhje me mësimet islame për të drejtat dhe detyrimet e grave myslimane.
Bashkësia Islame e Bosnje e Hercegovinës kishte reaguar më herët ndaj një postimi të Peziqit, në të cilin ai kishte thënë se “shoqëria perëndimore është rrënuar moralisht” kur gruaja “është nxjerrë nga shtëpia” dhe është bërë “gjithçka, përveçse nënë”. Bashkësia Islame e Bosnjës kishte vlerësuar se këto qëndrime nuk janë në përputhje me mësimet e Islamit për të drejtat dhe detyrimet e grave myslimane.
Qëndrimet e Peziqit janë kritikuar shpesh nga opinioni publik në Bosnje e Hercegovinë.
Predikuesi islamik nga Bosnja pritet të dëbohet nga Kosova, çka thonë BIK-u dhe Komuna e Pejës?









