‘Rrugëtimi më i vështirë i jetës’ – si u largua Murat Dërnjani nga Siria me tre fëmijët? (VIDEO)

Pas rreth pesë vitesh qëndrimi në Siri, Murat Dërnjani thotë se vendimin për t’u larguar e mori pas vdekjes së bashkëshortes, në vitin 2016. Në një intervistë për emisionin MAT, në Klan Kosova, ai rrëfen për largimin nga Siria, tre javët e udhëtimit drejt kufirit turk dhe arrestimin e mëvonshëm.

“E kam dashtë ma herët me dalë prej Sirisë, sepse gruan e kam pasë të sëmurë nga zemra. I kam thënë disa herë, hajde shkojmë në Turqi, shkojmë në spital, mjekohesh e krejt, po ajo s’ka pranu”, tregon Dërnjani.

Bashkëshortja e tij ndërroi jetë në Siri, atje edhe u varros. Kështu pas vdekjes së saj, Dërnjani tregon se i mori tre fëmijët dhe në korrik të vitit 2017 u largua nga Siria.

“Ma shumë kom hjekë me dalë sesa me hy. Se o kanë shumë vështirë”, thotë ai.

Sipas rrëfimit të tij, për të dalë nga Siria u detyrua të përdorte një autobus me turistë dhe të udhëtonte me fëmijët duke u përpjekur të mos tërhiqte vëmendjen.

“Hypa në autobus me fëmijët e mi edhe ja nisa rrugëtimin ma të vështirë të jetës teme”, rrëfen Dërnjani.

Ai thotë se për tri javë kaloi nëpër dhjetëra pika kontrolli, të kontrolluara nga grupe të ndryshme të armatosura.

“I kom kalu shumë kufinj, nja 60-70 pika kufitare… ke pasë grupe të ushtrisë së lirë, grupe kurdë, të Al-Kaidës e të ndryshme. I kom kalu krejt ato pika me shumë vështirësi”, deklaron ai.

Sipas Dërnjanit, shqetësimi kryesor gjatë këtij udhëtimi nuk ishte jeta e tij, por fëmijët.

“Krejt mendimin e kam pasë te fëmijët e mi. Krejt mundin që e jepsha me dalë deri në kufi, e bëjsha për fëmijët e mi, fëmijët e mi mos me u kapë”, thotë ai.

Në një moment, Dërnjani pretendon se arriti të largohej nga një grup i armatosur dhe të shkonte drejt ushtarëve turq, të cilëve, sipas tij, u tha se ishte shtetas turk.

“Mujta me vrapu me ju ikë atyne, me shku te ushtarët turk. Për shkak se e flas edhe gjuhën turke, ju tregova se jam turk… edhe më morën në mbrojtje bashkë me fëmijët e mi”, rrëfen ai.

Ai thotë se qëndroi 45 ditë nën mbikëqyrjen e autoriteteve turke, deri në verifikimin e shtetësisë së tij kosovare, ndërsa më pas u ekstradua në Turqi.

“Pa asnjë dokument, me tre fëmijë të vegjël”, thotë Dërnjani.

Por kthimi i tij nuk përfundoi me daljen nga Siria. Ai tregon se më pas qëndroi 11 muaj në burg në burg, në Turqi, deri sa u vendos nëse ai do të extradohej në Kosovë apo në Gjermani, kjo pasi që shteti gjerman nuk ja pranonte dy nga trefëmijët e tij, të lindur në Siri. Dhe kur shteti i Kosovës ja pranoi të tre fëmijët, ai vendosi të extradohej këtu.

“Në fund prindërve të mi ju kam thënë me kontaktu me Kosovë, se prej fillimit kam dashtë me ardhë me vujtë dënimin në Kosovë. Me kry, me përfundu, se shumë jena lodhë”, deklaron ai.

Në Kosovë, Dërnjani thotë se e pranoi veprën për pjesëmarrje në luftën në Siri dhe u dënua me 5 vjet burgim.

Tre fëmijët, ndërkohë, u vendosën fillimisht në kujdesin social në Prishtinë. Pas verifikimit të ADN-së, sipas tij, ata iu dhanë në kujdes gjyshërve.

“Tash në kujdesje i kanë afër shtatë vite”, thotë Dërnjani.

Sot, sipas rrëfimit të tij, fëmijët janë 13, 12 dhe 10 vjeç. Ndërsa ai përballet me një tjetër proces gjyqësor në Kosovë, këtë herë për akuzat për krime kundër njerëzimit, të cilat i mohon.