Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka folur rreth thirrjes për pushkatimin e Ramush Haradinajt, e cila u bë sot brenda sallës së Kuvendit të Kosovës.
Ramadani ka deklaruar se personi në fjalë nuk është mërgimtar, si dhe pretendon se është i afërt me Lëvizjen Vetëvendosje dhe me një deputet të saj nga Lipjani.
“Pa asnjë dilemë duhet të dënohet dhe me ligj të ndëshkohet personi dhe personat në fjalë që bëjnë thirrje për vrasje të komandantëve dhe zyrtarëve, vepër e rëndë”, ka thënë Ramadani në emisionin “Jehona Politike” në Klan Kosova.
Ai ka kërkuar përgjegjësi nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari, dheAlbulena Haxhiu, duke ngritur pikëpyetje se si personi ka arritur të hyjë në Kuvend.
“Albulena Haxhiu dhe Avni Dehari duhet dhe do të japin përgjegjësi për këtë, sepse ai nuk është mërgimtar, është e konfirmuar. Kush e lejoi atë person të futet brenda? Kush e ftoi?”, është shprehur ai.
Ramadani ka shtuar se pret që të dalin më shumë detaje rreth rastit, ndërsa thirrjet për vrasje i ka cilësuar si “terrorizëm të shtetit të Kosovës”.
“Do të japin përgjegjësi para ligjit sepse kjo tashmë jo vetëm që është tepruar, kjo është terrorizëm i shtetit të Kosovës”, ka deklaruar Ramadani.








