OVL UÇK dënon kërcënimin ndaj Haradinajt: Ky veprim kërkon proces të rreptë ligjor

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka dënuar ashpër gjuhën e urrejtjes dhe kërcënimet e drejtpërdrejta ndaj Ramush Haradinajt, ish-komandantit të Zonës Operative të Dukagjinit.

Në një reagim publik, OVL-UÇK i ka cilësuar thirrjet për dhunë si “akte kriminale”, duke theksuar se, sipas tyre, këto veprime cenojnë sigurinë publike, rendin kushtetues dhe vlerat mbi të cilat, siç thuhet në reagim, është ndërtuar shtetësia e Kosovës.

Organizata ka përgëzuar Policinë dhe Prokurorinë e Kosovës për veprimin e shpejtë në identifikimin dhe arrestimin e personit të dyshuar për kërcënimet.

“Ky veprim tani kërkon një proces ligjor po aq të rreptë, pa asnjë hapësirë për kompromis”, thuhet në reagimin e OVL-UÇK-së.

Sipas organizatës, çdo kërcënim i kësaj natyre duhet të trajtohet me “gjithë forcën e ligjit”, ndërsa institucionet e drejtësisë duhet të veprojnë me vendosmëri.

OVL-UÇK ka paralajmëruar se çdo ngurrim institucional në trajtimin e rastit mund të krijojë, sipas saj, “një precedent të rrezikshëm” dhe të inkurajojë veprime që mund të cenojnë stabilitetin e Kosovës.

“Ky shtet ngrihet mbi sakrificën e atyre që e fituan lirinë, dhe kërcënimet ndaj tyre nuk do të tolerohen”, thuhet më tej në reagim.

Në fund, organizata ka kërkuar që drejtësia të veprojë pa vonesa, ta vendosë personin përgjegjës përpara organeve kompetente dhe të shqiptojë masën e dënimit në përputhje me ligjin.