Ashley Young, që ka punuar me Antonio Conten tek Interi, ka rrëfyer intensitetin e metodave të trajnerit italian dhe mënyrën se si ai testonte lojtarët. Young kujton stërvitjet e jashtëzakonshme: “Për mua ishte çmenduri, por mendoj se pikërisht kjo më dha jetëgjatësinë për të vazhduar të luaja deri në moshën 40-vjeçare, kur vendosa të tërhiqesha”.
Efekti shihej në ndeshje: “Kishte shumë skuadra që vinin në ‘San Siro’ dhe, kur arrinim minutën e 60-të, ne merrnim hov, ndërsa ato rrëzoheshin”. Madje, pas një ndeshjeje, Gasperini i tha Contes: “Nuk e di çfarë bëni në stërvitje, por ju lëvizni me dyfishin e ritmit”.
Sipas Young, trajneri Conte përdorte edhe “teste” për të zbuluar kundërshtarët brenda grupit: “Na caktonte stërvitjen dhe pastaj nuk paraqitej, duke e shtyrë. Ishte vetëm një nga testet e tij për të parë nëse dikush do të shkonte t’i trokiste në derë për t’u ankuar ose do t’i përgjigjej keq”.
Kjo mënyrë veprimi dhe disa zgjedhje të cilësuara si “jo ortodokse” e bashkonin grupin, ndërsa rezultatet justifikonin mënyrën e tij të punës. Por kjo funksionon vetëm për aq kohë sa i gjithë sistemi qëndron në këmbë. Në fakt, pas tri sezoneve te Juventusi, Conte nuk ka qëndruar më shumë se dy sezone tek ekipet ku ka drejtuar më pas: kombëtarja, Chelsea, Interi, Tottenham dhe Napoli.
Çfarë ndodh atëherë që duket sikur gjithmonë diçka prishet? Young shpjegon: “Mendoj se pika e thyerjes vjen kur lojtarët fillojnë të mendojnë: ‘Në rregull, tani po e tepron’. Njerëzit fillojnë të dorëzohen dhe shtohen shumë dëmtime. Besoj se edhe disa pjesëtarë të stafit të tij përfundojnë duke mos qenë më dakord me metodat e tij, edhe pse ai zakonisht merr me vete pothuajse të njëjtët bashkëpunëtorë kudo që shkon.
Ata, sigurisht, mendojnë: ‘Duhet të qëndroj me të, sepse është fitues’, por futbollistët janë të ndryshëm: flasin, diskutojnë mes tyre dhe mbështesin njëri-tjetrin. Pastaj ka lojtarë që kanë më shumë peshë politike se të tjerët”.







